Bullgari, 25 korrik 2011 NOA - Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto u takua me Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, z. Nickolay Mladenov.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të MPJ, Haxhinasto vlerësoi se klima e dialogut politik midis dy vendeve duhet të përkthehet në një bashkëpunim konkret në përftim të përbashkët.
Ai vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i ka ofruar dhe i ofron Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shprehu interesimin e Shqipërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin, në kuadër të integrimit në BE dhe për shkëmbimin e përvojës bullgare në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm bullgar Mladenov vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë të marrin mesazhin nga BE, që janë pjesë e procesit të integrimit evropian. “Ky proces nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i politikës së brendshme “, u shpreh ai.
Haxhinasto dhe Mladenov ranë dakord për një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të qëndrimeve lidhur me çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si për zhvillimet në Libi, Tunizi, Lindjen e Mesme, etj.
Gjatë vizitës në Sofje, Zv/Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Haxhinasto dhe Ministri Mladenov vizituan Ambasadën norvegjeze në Bullgari, ku nënshkruan librin e ngushëllimeve për tragjedinë e së premtes në Oslo, gjatë së cilës mbetën të vrarë të paktën 93 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
a.q/NOA