Tiranë, 25 korrik, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë, Petro Koçi e ka vlerësuar qëndrimin e sotëm të këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, si reagimin e duhur ndaj zgjedhjeve në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, Koçi shprehet se qëndrimi i PS-së ishte dëshmi e një politike institucionale.
“Socialistët dëshmuan politikë institucionale dhe konsekuencë të qartë politike në trajtimin e procedurave të konstituimit dhe në vlerësimin politik të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit”, tha Koçi.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar se “Çdo bashkëpunim për përfitime apo dëm individual opozitar me manipuluesit historikë të zgjedhjeve nuk i shton dot ditët e qeverisë Berisha”.
Në deklaratën e tij, Koçi ndalet edhe në idenë e hedhur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas Koçit një nismë e tillë i jep fund ngërçit politik në vend. “PSV është e bindur se projekti i opozitës për një Republikë të Re me Kushtetutë të Re është rruga dhe morali që zgjidh krizën dhe afron ditën e integrimit europian të vendit. Ky ka qenë projekti ndaj të cilit PSV ka qenë dhe mbetet sponsori kryesor politik”, shprehet ai.
NOA