Tiranë, 25 korrik, NOA Update – Pas miratimit të mandateve nga komisioni i përbërë nga tre këshilltarë u betuan të 55 anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Pas leximit të formulës së betimit nga drejtuesi i mbledhjes këshilltari Maksim Begeja, këshilltarët janë betuar njëzëri, se në emër të zgjedhësve që përfaqësojnë do të mbrojnë Kushtetutën e vendit dhe se do të udhëhiqen në punën e tyre nga ligjet dhe rregullat e bashkisë së Tiranës.
Pas konstituimit të mandateve të Këshillit Bashkiak, këshilltari demokrat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Ferdinand Poni propozoi për postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrastin, i cili njihet për kontributin e tij si përfaqësues i mazhorancës së djathtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërsa këshilltari socialist Aldrin Dalipi propozoi në emër të “Aleancës për të Ardhmen”, profesoreshën Mimoza Hafizi, në postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Pas propozimeve për kryetarin, tashmë u mblodh edhe komisioni i përbërë prej tre anëtarësh, të cilët do të ndjekin procedurat e votimit të fshehtë për kryetarin e Këshillit Bashkiak.
Kryebashkiaku Lulzim Basha pritet të hyjë në bashki vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave në këshill, që do të thotë pas pak minutash. Vijon...
mit/NOA