Tiranë, 25 korrik 2011, NOA – Pas tre mandatesh në duart e kryebashkiakut socialist Edi Rama, nga sot bashkia e kryeqytetit do të qeveriset për katër vitet e ardhshëm nga lidershipi i ri i saj, Lulzim Basha.
Pas odisesë ligjore sa në dyert e KQZ-së aq edhe në ato të Kolegjit Zgjedhor, Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, dhe një nga figurat lider të PD-së, që rrëzoi mitin e fitoreve të Edi Ramës në Tiranë, ka një betejë edhe më të vështirë përpara, atë të kthimit në realitet të premtimeve të bëra në fushatën e 8 majit.
Shefi i ri i bashkisë përballet që në krye të punës së tij me punimet e mbetura pezull në qendër të kryeqytetit, në sheshin Skënderbej, i kthyer prej mëse 9 muajsh në një kantier ndërtimi, që kërkon investime të mëdha.
Basha ka premtuar në fushatë se do të heqë më shumë se 60 taksa nga bashkia e Tiranës si dhe do t’i ulë ato.
Ai ka premtuar internet falas në të gjithë kryeqytetin, vendosjen e tramvajit, krijimin e një Task-Force të posaçme për punësimin, ngritjen e një agjencie për mbrojtjen e konsumatorëve.
Jashtë deklaratave të kryebashkiakut Basha ka qenë prishja e Piramidës, dhe ndërtimi aty i Parlamentit të ri.
Gjithashtu kryebashkiaku i ri i Tiranës ka objektiv kyç hapjen e 30 mijë vendeve të reja të punës në dy vitet e para të mandatit të tij, ndërtimin e një rrjeti nënkalimesh dhe parkingjesh në kryeqytet, ndërtimin e një tjetër parku të madh të Tiranës, hartimin e planit rregullues të kryeqytetit si dhe ndërtimin e Unazës së Madhe.
Janë këto premtime, të cilat i dhanë votëbesimin e 125 mijë e 42 qytetarëve të kryeqytetit kryetarit të ri bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Nga ulja e tij në tryezën e punës së kryebashkiakut ku deri dje qëndroi për 11 vite ish-kryetari Edi Rama, Lulzim Bashës do t’i duhet t’i përvishet punës për të vënë në jetë konkretisht premtimet.
Vetë Lulzim Basha ka deklaruar se dyert e zyrës së tij dhe të bashkisë së Tiranës do të jenë të hapura për qytetarët e kryeqytetit, të cilët ndryshe nga paraardhësi i tij do të gjejnë tek bashkia zgjidhjen e problemeve të tyre.
Për këtë ai ka paralajmëruar se do të takohet me qytetarët e Tiranës çdo të premte, duke nisur ndoshta nga e para e premte, që ai do të hyjë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë.
mit/NOA