English

METE i heq liçencën një kompanisë minerare, paralajmëron 829 të tjera

Tiranë, 25 korrik 2011, NOA- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot heqjen e lejes minerare të një kompanie shfrytëzimi për shoqërinë.

Siç njofton METE ky vendim është marrë pas kontrolleve të vazhdueshme që kjo ministri po ushtron prej disa muajsh, mbi subjektet që ushtrojnë aktivitetin minerar në vendin tonë.

Në vendimin e METE theksohet se ky hap ka ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara në minierë ku vërehet se nuk është punuar dhe nuk punohet.

Nga konstatimi i ministrisë vihet re se shoqëria“Tete Albania Tunnel & Mining” sh.p.k. nuk ka realizuar detyrimet në përputhje me projektin e zhvillimit të aktivitetit minerar, ndërkohë që nuk rezulton të jenë paraqitur nga shoqëria bilanci financiar periodik e vjetor, marrëdhëniet financiare me banka, sigurimet shoqërore, drejtorinë rajonale të tatime, marrëdhëniet me doganat, si dhe pagesat e kryera të faturave të energjisë elektrike të konsumuar.

Ndaj, METE vendosi sot revokimin e lejes minerare të Shfrytëzimit dhënë shoqërisë në fjalë, me koordinata dhe sipërfaqe të përcaktuara në objektin ish-miniera e bakrit Spaç, Mirditë, për shfrytëzimin e mineralit të bakrit.

Për sa i përket sektorin minerar në vendin tonë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka konstatuar se disa prej subjekteve nuk përmbushin detyrimet ligjore dhe në vend që të zhvillojnë lejet minerare që kanë marrë i mbajnë ato në konservim.

Sakaq Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar sot 829 subjekte që ushtrojnë aktivitetin minerar në vendin tonë se, në rast se ato nuk do të plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë paketë ligjore, METE do të zbatojë sanksionet përkatëse.

Kushtet e kompanive dhe shkeljet që çojnë në heqjen e lejes:

METE njoftoi sot subjektet se do të merret masa e revokimit të lejes kur zotëruesi i saj nuk plotëson kushtet e mëposhtme.

1. Kur brenda 30 ditëve kalendarike nga data e çdo viti në vazhdim, që i korrespondon datës së hyrjes në fuqi të lejes, nuk paraqet dokumentin e garancisë financiare të zbatimit të planit të rehabilitimit, dokumentin e garancisë financiare të zbatimit të programit minimal të punës, dokumentin e garancisë të zbatimit të investimit.

2. Kur nuk paguan rentën minerare sipas afateve të legjislacionit në fuqi.

3. Kur shfrytëzon dhe trajton pa kriter mineralet në kundërshtim me projektin e miratuar.

4. Kur nuk respekton kërkesat e planit të rehabilitimit, të planit të mbylljes së veprimtarisë minerare dhe të planit të menaxhimit të mbetjeve.

5. Kur nuk paraqet informacionet e kërkuara nga struktura përgjegjëse, paraqet informacione të pavërteta apo pengon strukturën përgjegjëse në ushtrimin e funksioneve të inspektimit, në zbatimit të këtij ligji.

6. Kur nuk fillon veprimtarinë minerare brenda afatit të përcaktuar në ligj, nga data e hyrjes në fuqi të lejes.

7. Kur për dy vjet radhazi dështon në realizimin e 90 për qind të vlerës së investimit, që ka parashikuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare.

8. Kur nuk ushtron aktivitet minerar për 1 vit ose ndërpret veprimtarinë minerare, pa njoftuar më parë, jo më vonë se 90 ditë kalendarike, strukturat përgjegjëse të veprimtarisë minerare, duke përfshirë në njoftim dhe arsyet e këtij pezullimi ose ndalimi.

a.y/NOA

KOMENTE