English

Nis mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, pritet betimi i kryebashkiakut Basha

Tiranë, 25 korrik 2011, NOA – Këshilli Bashkiak i Tiranës nisi mbledhjen e tij të parë pas mandateve të fituara në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Mbledhjen e hapi sekretari Vladimir Gjonaj, i cili bëri apelin e këshilltarëve.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak marrin pjesë të 55 anëtarët e rinj, 28 prej të cilëve i përkasin “Aleancës për Qytetarin” dhe 27 “Aleancës për të Ardhmen”.

Vetëm pak minuta më parë ka përfunduar në selinë rozë edhe takimi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me këshilltarët socialistë.

Burime nga PS thonë se 27 këshilltarët socialistë do të marrin pjesë gjatë konstituimit të këshillit të ri bashkiak dhe zgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit e sekretarit të këshillit, porse ata do të bojkotojnë momentin e betimit të kryebashkiakut të ri të Tiranës, Lulzim Basha.

Ky i fundit sipas burimeve nga PD pritet të vijë në Këshillin Bashkiak rreth mesditës, dhe gjatë betimit të tij janë ftuar të marrin pjesë ambasadorët e SHBA-ve, BE-së, OSBE-së.

Mjediset jashtë bashkisë së Tiranës janë mbushur me militantë të PD-së dhe kureshtarë që presin të shohin me sytë e tyre hyrjen e lidershipit të ri të kryeqytetit Lulzim Basha.

mit/NOA

KOMENTE