Përmet, 25 korrik 2011, NOA – Një 32-vjeçar nga Përmeti është arrestuar për dy vjedhje të kryera në orët e para të mëngjesit të sotëm në një kompani sigurimesh dhe në një shitore konfeksionesh.
Autori i vjedhjeve është Françesko Kasaj, lindur dhe banues në fshatin Zhepovë të komunës Sukë në Përmet, i dënuar më parë tri herë për vjedhje.
Policia tregon rrugëtimin e vjedhjeve të sotme në Përmet.
Sipas saj rreth orës 03.00 të mëngjesit Françesko Kasaj ka vjedhur me thyerje zyrën e sigurimeve Sigal, që ndodhet në lagjen Varosh të qytetit të Përmetit, ku ka vjedhur prej aty një sërë pajisjesh për kompjutera.
Mandej rreth orës 04.00 Kasaj ka kryer një tjetër vjedhje këtë herë në një dyqan konfeksionesh në lagjen Partizani të qytetit Përmet.
Pasi ka thyer xhamat e dyqanit në pronësi të shtetasit M.Z, 32-vjeçari Kasaj ka vjedhur një mbajtëse me unaza dhe varëse floriri.
Françesko Kasaj pas vjedhjeve të kryera në harkun e një ore i ka fshehur sendet e grabitura në një banesë të braktisur e të pabanueshme në lagjen Varosh të qytetit të Përmetit, por është zbuluar nga policia.
Policia pas arrestimit të tij sekuestroi në cilësinë e provës materiale përveç pajisjeve kompjuterike të fshehura në banesën e pabanueshme edhe bizhuteritë që u gjetën në banesën e tij.
Françesko Kasaj, i cili do të procedohet për vjedhje nga Prokuroria gjatë tre viteve të fundit ka vjedhur kishën e ShënePremtes në Përmet si dhe ka vjedhur dy herë dyqane me pajisje kompjuterike, vepra penale për të cilat Kasaj është dënuar tri herë me nga 6 deri në 8 muaj burg.
Po kështu Kasaj është dënuar edhe në Itali për vjedhje me dhunë në vitin 2005.
mit/NOA