Redaksionale NOA
Java e fundit e korrikut 2011 nisi me zhbllokimin e plotë të ngërçit që kishte kapur drejtimin e bashkisë së Tiranës. Tashmë metropoli ka një kryetar të ligjshëm dhe ai është Lulzim Basha.
Fitorja e Bashës, goxha e ngushtë, iu nënshtrua një kalvari të gjatë shqyrtimesh procedurale e gjyqësore dhe më 25 korrik mori fund.
Dhe sot, i ndjekur nga disa qindra mbështetës, Basha hyri në bashkinë e Tiranës duke marrë në dorë jo vetëm çelësat dhe kolltukun e kryetarit por dhe malin me halle që ka bashkia më e madhe në vend.
Nga ana tjetër, ai u shoqërua dhe sot, me thirrjet e forta për antilegjitimitet të postit që mori. E majta e udhëhequr nga kryesocialisti Edi Rama dhe ai vetë ca më fort, e anatemuan bollshëm Bashën duke i bërë të qartë se po i vjedh fitoren dhe po ulet në një karrige që nuk e meriton.
Megjithëkëtë, edhe këto zëra dita-ditës do të pushojnë, për vetë faktin se verdikti i drejtësisë do të zbatohet nga të gjitha palët.
Tani, ajo që mbetet, është të shohim sa Basha do të arrijë të mbajë premtime të dhëna gjatë fushatës model që ai mbajti deri në zgjedhjet e 8 majit.
Duke përzgjedhur disa nga problematikat kryesore që ka Tirana, z.Basha shpalli sot edhe planin 100 ditësh të bashkisë që tani e tutje drejtohet prej tij.
Basha u uroi punë të mbarë të gjithë të zgjedhurve të rinj vendorë duke theksuar se do të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike që përfaqësohen. “Po pres me kënaqësi të punojmë së bashku për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë dhe sot dua të ritheksoj përkushtimin tim për të bashkëpunuar me ju, pavarësisht se cilës parti politike i përkisni”, - tha z.Basha dhe ftoi: “Nëse dikush ka një ide të mirë për zhvillimin e qytetit, nuk ka rëndësi nëse kjo ide vjen nga Partia Demokratike, Partia Socialiste, LSI, PR, PDIU, apo çdo parti tjetër, e rëndësishme është të punojmë së bashku që ajo ide të realizohet. Ndaj dua t’iu siguroj se administrata ime, do te jetë gjithëpërfshirëse, ku çdo parti politike do të gjejë përfaqësim duke pasqyruar në këtë mënyrë vetë familjen tonë të përbashkët, Tiranën”.
Kryebashkiaku i ri pranoi se “pritshmëritë e bashkëqytetarëve janë të mëdha sot, dhe me të drejtë, sepse të mëdha janë dhe mundësitë që shtrihen para nesh, por gjërat nuk do të ndryshojnë brenda ditës, ndryshimi nuk është i lehtë, dhe do të vijë më shpejt nëse të gjithë punojmë së bashku”.
Duke promovuar nisjen e mbajtjes së premtimeve, z.Basha lajmëroi se këtë të mërkurë pasdite, do të hapë dyert e Bashkisë së Tiranës për të gjithë qytetaret që dëshirojnë të vijnë në bashkinë e tyre dhe tha se do të qëndrojë aty derisa të jetë takuar me të gjithë ata.
Kurse premtoi edhe se duke filluar nga e premtja tjetër, do të realizojë një nga premtimet e bëra gjatë fushatës, për të përcaktuar orare zyrtare të takimit me qytetarët, në mënyrë që ju të takoni Kryebashkiakun tuaj dhe të bisedoni personalisht me të për problemet tuaja, apo për mendimet që mund të keni ne lidhje me zhvillimin e komunitetit tuaj.
Në të vërtetë, takimet me popullin, kryesisht të Premteve, nuk janë një gjë e re për qytetarët e Tiranës dhe të gjitha bashkive të tjera në vend. Çështja qëndron në faktin se thuajse asnjëherë këto orare nuk janë zbatuar korrektësisht.
Në planet e 100 ditëve, z.Basha përmendi edhe ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, nxitjen e investimeve, të biznesit, të punësimit si dhe të strukturave që garantojnë konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit.
Ai lajmëroi dhe nisjen e procesit të përgatitjes dhe konsultimit të planit urbanistik të qytetit dhe ndërhyrjet e para urbane, duke premtuar zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës.
Më tej ai premtoi edhe adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara.
Ndryshe nga dozat “pa doganë” të premtimeve që hidhen rëndom në fushatë, z. Basha ishte shumë i kujdesshëm në premtimet e sotme për 100 ditët e ardhshme deri më 5 Nëntor 2011 kur duhet të japë llogari për bilancin e kësaj periudhe.
Duke iu referuar premtimit të fushatës për reduktim masiv taksash, Basha tha se do të realizonte atë që e cilësoi “hedhjen e bazave për një sistem të ri të financave të bashkisë, qëe bazohet tek taksat dhe tarifat e reduktuara, shpenzime produktive dhe transparente”. Kurse prerazi njoftoi eliminimin e 60 llojeve te taksave/tarifave si dhe përgatitjen e paketës fiskale dhe të shpenzimeve për 2012 dhe ngritjen e sistemit informatik për pasqyrimin ne faqen zyrtare te shpenzimeve të baskisë.
Basha shpalli dhe përgatitjet për emetimin e kartës së studentit, me tarifa zero dhe/ose të reduktuara lidhur me shërbimet bashkiake
Në fund të fjalës së tij, z.Basha sqaroi se “Tirana nuk do të ndryshojë brenda ditës” duke vlerësuar se “përkushtimi ynë duhet te jete i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm, i shtrire ne te tashmen dhe në te ardhmen, nëse dëshirojmë të ndërtojmë qytetin e shpresave dhe aspiratave tona”.
Dhe si për t’i vënë kapak thënieve të shpeshta se do të jetë qytetari i parë i të gjithë qytetarëve të Tiranës, z.Rama fshikulloi qartazi, të dy krahët e politikës, përfshirë atë që e kandidoi, kur tha se “tepër gjatë në këtë qytet topi i përgjegjësisë është hedhur sa andej këndej dhe gishtat e politikës kane fajësuar njëri-tjetrin për problemet tona në vend të marrjes së përgjegjësive dhe ofrimit të zgjidhjeve”.
Në këtë pikë Basha premtoi se “administrata ime nuk do ta pasojë topin gjetkë, ne nuk do të investohemi në identifikimin e fajtorit imagjinar por do te përkushtojmë të gjithë energjinë tonë për te mundësuar zgjidhjen e problemeve”.
PREMTIME TË TJERA TË Z.BASHA
Administrata ime do të bëjë gjithçka për të hapur vende të reja pune, për të ndërtuar një Tiranë moderne dhe Europiane, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të ofruar dhe që qytetarët të kenë zërin e tyre ne vendimmarrje pasi zhvillimi i mirëfillte kërkon që ne të punojmë të gjithë së bashku.
Ne do të ndërtojmë parqe dhe shkolla, do të shtrojmë rrugë dhe trotuare, do të ndërtojmë Unazën e Re dhe tramvajin, do të zhvillojmë pronën private dhe do sigurojmë më shumë strehim, do te investojmë ne art, kulture dhe sport, do te pastrojmë ajrin dhe rrugët tona, do të tërheqim investime dhe turizëm, dhe do ta trajtojmë çdo qytetar me respekt dhe dinjitet. Së bashku, ne do ta ndërtojmë Tiranën që meritojmë.
Më poshtë vijon një material special për kryeqytetin shqiptar, me të dhëna të mundësuara nga Bashkia e Tiranës
Tirana kryeqytet
Tirana u themelua në 1614 nga Sulejman Pasha nga fshati Mullet.
Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërsisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.
Në Historinë e Popullit Shqiptar , “Periudha e Pavarësisë (28 Nëntor 1912 – 7 Prill 1939), në faqen 249 përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.
“Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eliminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës. Banorët e Tiranës e pritën me entuziazëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920”.
Tri hipotezat për prejardhjen e emrit të Tiranës
1- “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Te Ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujërat nga malet përreth.
2- “Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop, (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.
3- “Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros” që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.
Për herë të parë emri i Tiranës në formën e sotme përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut.
Për herë të parë regjistrimi i tokave u bë nën pushtimin otoman në vitet 1431-1432. Tirana kishte 60 qendra të banuara me rreth 1000 shtëpi dhe 7300 banorë.
Në shekullin XV njihen, siç përmendet nga Marin Barleti, Tirana e Madhe dhe Tirana e Vogël.
Në regjistrimet e vitit 1583 treva e Tiranës rezulton me 110 qendra të banuara, 2900 shtëpi dhe 20, 000 banorë.
Tirana u themelua në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ishte me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht ai ndërtoi një xhami, një furre dhe një hamam.
Dy shekuj me vonë drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja. Dy lagjet më të vjetra të Tiranës kanë qenë ajo e Mujos dhe e Pazarit, të ndodhura sot në zonën mes qendrës aktuale dhe Rrugës së Elbasanit, në të dy anët e Lanës.
Në vitin 1703, Tirana kishte 4000 banorë.
Në vitin 1769 treva e Tiranës eksportonte në tregjet e Venedikut 2600 fuçi me vaj ulliri dhe 14.000 dengje duhani.
Në vitin 1820, Tirana kishte 12.000 banorë.
Në vitin 1901, Tirana kishte 15.000 banorë.
Në fillim të shekullit XX, Tirana kishte 140.000 rrënjë ulliri, 400 mullinj vaji, ndërsa pazari i saj numëronte 700 dyqane.
Në vitin 1838, Tirana kishte 38.000 banorë.
Në vitin 1945 kishte 60.000 banorë. Xhamia në qendër të Tiranës, e quajtur Xhamia e Et'hem Beut, filloi të ndërtohej më 1789 nga Molla Beu, i ardhur nga Petrela. Xhamia u përfundua më 1821 nga i biri i Molla Beut, Haxhi Et'hem Beu, stërnipi i Sulejman Pashës. Për të punuan mjeshtrit më të mirë të Shqipërisë. Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et'hem Beu rreth vitit 1821-1822 dhe u përfundua me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës. Montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 metra. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946.
Kisha Ortodokse e Shën Prokopit u ndërtua në vitin 1780.
Kisha Katolike e Shën Mërisë u ndërtua në vitin 1865 me shpenzimet e Perandorit austro-hungarez Franz Jozef. Ura e Tabakëve dhe Ura e Terzive, (aktualisht ura e Rrugës së Elbasanit), datojnë në fillim të shekullit XIX. Tyrbja e Kapllan Pashës, (pranë monumentit “Ushtari i Panjohur”), është ndërtuar në vitin 1816.
Bibloteka u themelua në vitin 1922 dhe kishte 5000 vëllime.
Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV, para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve.
Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm më 9 Shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjes dhe përfundimisht e mori këtë status më 31 dhjetor 1925.
Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur bektashinjtë u ndaluan dhe përzunë nga Turqia.
Plani i parë rregullues i qytetit u hartua në vitin 1923 nga Estref Frashëri. Rruga e Durrësit është hapur më 1922 dhe quhej rruga “Nana Mbretneshë”. Për ndërtimin e saj u prishën shumë shtëpi e kopshte. Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Atje, më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu shpalli monarkinë.
Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët e njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto dhe Armando Brasini.
Pallati i Brigadave (ish-Pallati Mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi “Skënderbej” deri te Stacioni i Trenit u quajt Bulevardi “Stalin”.
Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operës dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-Pazarin e Vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga ish-presidenti sovjetik Nikita Hrushov më 1959.
Monumenti i Skënderbeut, i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit, në bashkëpunim me Andrea Manon dhe Janaq Paçon. Ai u vendos me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Monumenti “Nënë Shqipëri”, 12 metra i lartë, u përurua në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” më 1971.
Akademia e Shkencave u përfundua më prill 1972.
Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe afresku në pjesën ballore të tij titullohet “Shqipëria”.
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu “Enver Hoxha”, u përurua më 1988. “Piramida” u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit.
Në vitin 1990 Tirana kishte 250.000 banorë. Aktualisht, dyndja masive e banorëve nga gjithë pjesët e tjera të vendit drejt kryeqytetit, e ka çuar popullsinë e Tiranës në mbi 700.000 banorë.
Në vitin 2000 qendra e Tiranës, nga Korpusi Qendror i Universitetit dhe deri te Sheshi “Skënderbej”, u shpall Ansambël Kulturor me vlera të veçanta dhe mbrohet nga shteti. Po atë vit, në këtë zonë filloi një proces restaurimi i quajtur “Kthim në Identitet”.
Kronologjia e pronësisë dhe e administrimit të Tiranës
Deri në shekullin e XV
Sundimtarët e Pellgut të Tiranës
• Familja e Topiajve deri në shekullin e XIV
• Familja e Kastriotëve deri në shekullin e XV
Me vdekjen e Skënderbeut, territoret e sundimit të tij me qendër Krujën u tkurrën u shpopulluan e deri u braktisën duke rimarrë format e niveleve të fshatrave. Në këto rrethana fillon e i hapet rrugë një qendre tjetër, pesha e së cilës është shkallëzisht në rritje. Fjala është për Tiranën.
Sundimtarë të Tiranës
Sundim familjar i familjes Bargjini nga viti 1614 - 1800)
• Sulejman Bargjini -- Pasha
• Ahmet Myftar Bargjini -- PASHA (I biri i Sulejmanit)
• Ibrahim Bargjini -- Bej (I biri i Ahmetit)
• Ahmet Bargjini -- Pasha (I biri i Ibrahimit)
Ndërpritet sundimi familjar i Bargjinëve pasi Ahmet Bargjini nuk kishte djalë. Sundimin e merr Kapllan Toptani - Pasha. Katër vajzat e Bargjinëve martohen me katër djemtë e Kapllan Pashës.
Qendra e Nën-prefekturës Krujë-Tiranë kalon në Tiranë më 1807
Sundim i fituar me martesë më 1807
Kapllan TOPTANI--PASHA (Sundimtar i Krujës) (vdes më 1816 )
Sundimin e merr përkohësisht
• Haxhi Et'hem BARGJINI --BEJ
(nga fisi i Bargjinëve por jo trashëgimtar)
(Sundon nga viti 1817-1822 kur Toptanët rimarrin pushtetin)
• Abdurrahman TOPTANI -- BEJ
(Sundon nga viti 1822-1837)
• Ahmed TOPTANI -- BEJ
(I biri i Abdurrahman TOPTANIT)
(Sundon nga viti 1837-1865)
Merr fund administrimi nga SHEFI i familjes sunduese
Rritet roli qytetar i PARISË
Në vitin 1865 u reformua administrata e Turqisë duke u organizuar vilajetet,
Vilajeti i Shkodrës -- ekujvalent -- Qarku i Shkodrës
Sanxhaku i Durrësit -- ekuivalent -- Prefektura e Durrësit
Nënprefektura e Tiranës
Ky administrim vazhdon deri në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë
Nga viti 1913 Tirana administrohet nga Kryebashkiak vendas duke mbushur këtë vit, 90 vjet të vendosjes së administratës lokale shqiptare
Të dhëna arkeologjike
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”.
Pellgu i Tiranës
Shqipëria e mesme, me zonat malore, kodrinore e fushore të saj ofron një pasuri të ndjeshme në fushën e historisë, administrimit, etnografisë e trashëgimisë kulturore. Tipologjia e përgjithshme e zhvillimit të tyre është reale edhe për pellgun e Tiranës.
Tirana u themelua si qytet më 1614, por toka mbi të cilën u ndërtua ka gjurmë më të hershme banimi.
Gjurmë të lashta banimi në pellgun e Tiranës
Stacion paleolitik në verilindje rrëzë malit të Dajtit. Shpella e Zezë ose ndryshe Shpella e Pëllumbasit vendbanim i hershëm që dëshmon mbi gjurmët e hershme të banimit në këtë pellg.
Kjo dëshmi i takon zonës perëndimore të qendrës të qytetit. Ajo paraqitet si një ndërtim me aks gjatësor, me drejtim perëndim-lindje dhe përbëhet nga naosi (salla) në perëndim. Ndërsa narteksi (parasalla) dhe mjediset e tjera janë të vendosur në anën veriore.
Me interes për të gjykuar mbi zhvillimin e kësaj treve, në veçanti për këtë qendër banimi fshatare në rrugët që lidh Dyrrahin me Skampën, janë dy mozaikët, ai i naosit dhe norteksit.
Mendohet se godina është rrënuar në periudhën e antikitetit të vonë. Kemi të bëjmë me një ndërtesë banimi të shek. II-III të erës sonë të kthyer në kishë gjatë shekullit të IV-V, në ndërtesë kulti.
Kalaja e Petrelës
Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Kalaja e Petrelës kontrollonte rrugën Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.
Në fillim të shek. XIV-të ishte nën sundimin e Topiajve, në atë kohë zotërues midis Matit e Shkumbinit, në një faqe të murit ruhet dhe emblema e parë e Topiajve.
Kalaja e Prezës
Barleti përmend Prezën si qyteza e Parthinëve. Fakti që e përmend Barleti tregon se ajo duhet të jetë ndërtuar para rrethimeve të Krujës dhe ndërtimi i saj duhet të jetë në fillim të shek. XV nga Topiasit të cilët ishin zotëruesit e kësaj zone.
Me sa kuptohet, braktiset në kohën e Gjon Kastriotit dhe vetë i biri i tij. Pas pushtimit turk asaj iu bënë disa riparime, ndërmjet të tjerave u ndërtua edhe një xhami.
Fund
Përgatiti: Redaksia e NOA