E martë, 26 korrik 2011, NOA- Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit.
“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë zonja Koçijançiç, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.
“Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut”, ka thënë Koçijançiç, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.
(INA)/NOA