Selanik, 26 Korrik 2011 NOA – Ka dalë jashtë gjithë mbrëmjen dhe pasi ka kaluar mesnata e ca orë më pas, gjithë ç’kishte në mend ishte t’ia këpuste një gjumi.
Por jo si gjithë të tjerët në shtëpinë e vet, por në më të parën që i doli para syve.
Ngjarja e rrallë ka ndodhur natën e kaluar në Selanik.
Një 36 vjeçar vendas, mesa duket i pirë, ka hyrë në një shtëpi, njerëzit e të cilës as që i kishte parë ndonjëherë. Me të hyrë, dhoma e parë me të cilën është ndeshur ka qenë salloni i ndenjes.
“I vdekur” për gjumë, është hedhur në divan dhe sytë i janë këputur.
Në mëngjes, gruaja e shtëpisë është zgjuar. Por 45 vjeçarja është shtangur kur në divan ka parë një djalë të ri që flinte i veshur.
Nuk ka bërë zhurmë por me telefon në dorë ka dalë jashtë, ka njoftuar policinë dhe ka pritur të vijnë e të merren ata.
Me të mbërritur policia, e ka prangosur në gjumë të riun, që më pas pohoi se ishte i dehur dhe nuk dinte se në cilën shtëpi kishte hyrë, thjesht dhe vetëm për një sy gjumë.
e.t/NOA