English

Jahjaga: Përkrah Qeverinë, aksioni i mbështetur nga populli dhe ndërkombëtarët

Prishtinë, 26 korrik 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar lidhur me aksionin e mbrëmshëm dhe të sotëm të Policisë së Kosovës për dy pikat kufitare në veri të vendit.

“Aksioni i Policisë së Republikës së Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë, për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të vendkalimeve kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për të respektuar vendimin për masat e reciprocitetit në këmbimin doganor ndërmjet dy vendeve, është një veprim i qëlluar që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet”, thuhet në deklaratën e Jahjagës.

Ajo thekson më tej se Kosova kishte besim te dialogut me Serbisë që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ndihmon qytetarët e të dyja vendeve që të zgjidhen çështjet të cilat që nga viti 1999 me vendim të Serbisë u bënë pengesë për komunikimin e lirë ndërmjet njerëzve dhe për këmbim të mallrave duke u privuar kështu nga të drejtat dhe liritë e elementare.

Jahjaga ndër të tjera shprehet se, në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tri marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan, më nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveçse Kosova me mjete legale e ligjore të shtrijë autoritetin e pushtetin në tërë territorin, duke luftuar kështu kontrabandën dhe krimin e organizuar, një nga parakushtet për integrim evropian të vendit.

Sakaq sipas Presidentes, Kosova dhe të gjitha institucionet e saj janë të vendosura që të zbatojnë rendin dhe ligjin në mbarë territorin, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e kanë të ardhmen e përbashkët. Me këtë rast dua të lavdëroj punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në veprimet shumë profesionale në zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në deklaratën e Atifete Jahjagës.

Në përfundim ajo përmend gjithashtu edhe mbështetjen e dhënë për kryeministrin Thaçi për këtë veprim.

Ndërkaq më herët përfaqësuesi i delegacionit të Serbisë Borislav Stefanoviç pas nj takimi me komandantin e KFOR deklaroi se është arritur që të sigurohet tërheqja e trupave kosovar dhe kjo gjë do të realizohet në mëngjesin e ditës së nesërme, duke shtuar më tej se në veri do të kthehen policët serbë.

Situata në Kosovë u tensionua pas vendimit të qeverisë kosovare për shtrirje e kontrollit në 2 pikat kufitare të Bërnjakës dhe Jarinkës, në veriun e banuar me shumicë serbe, ku si pasojë e përplasjes me banorët e zonës ngeli i plagosur edhe një polic kosovar.

a.y/NOA

KOMENTE