English

Kontrolli i vendkalimeve kufitare, Serbia thërret për ndihmë ndërkombëtarët

Beograd, 26 korrik 2011, NOA – Pas vënies nën kontrollin e Policisë së Kosovës të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë kanë reaguar Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç.

Presidenti serb ka kontaktuar me Komisionin Evropian, OKB-në, NATO-n dhe institucionet tjera ndërkombëtare, duke i kërkuar ndërkombëtare të ndërhyjnë për tërheqjen e trupave të policisë së Kosovës nga kufiri me Serbinë.

Mediat kosovare bëjnë me dije se ka reaguar edhe kreu i delegacionit serb në bisedimet Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç.

Stefanoviç i ka bërë një ofertë Prishtinës me qëllim që njësitë e policisë së Kosovës të tërhiqen nga postblloqet që i morën nën kontroll mbrëmjen e të hënës.

Oferta është edhe kusht i serbëve për tërheqjen e qytetarëve serbë nga bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës.

Borko Stefanvoiç dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç mbërritën mbrëmë në Kosovë, pas informacioneve për aksionin e policisë së Kosovës dhe pas grumbullimit të qindra serbëve në veri.

Serbët u grumbulluan në përpjekje për të penguar njësitë sepciale të policisë së Kosovës që të merrnin portën 1, përkatësisht pikën kufitare të Jarinjes.

"Komandanti i KFOR-it aktualisht po konsultohet me kryeministrin Hashim Thaci, sepse ai nuk ka përgjegjësi që të tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës", tha për mediat serbe, Stefanoviç.

Mediat serbe njoftojnë se Bogdanoviç dhe Stefanoviç gjatë natës së shkuar janë takuar në Leposaviç në veri të Kosovës me komandantin e KFOR-it, Erhard Byler, nga i cili kanë kërkuar kthimin e gjendjes së mëparshme, gjegjësisht, tërheqjen e forcave kosovare, në mënyrë që serbët lokalë të zhbllokojnë rrugët.

KohaDitore/mit/NOA

KOMENTE