Tiranë, 26 korrik 2011, NOA/Irma Toptani – Pas betimit si kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha është lidershipi i ri i kryeqytetit, ai që pritet të konkretizojë premtimet e mazhorancës për një Tiranë europiane, ai që do të firmosë projektet e ndryshimit...
Por, në krye të bashkisë më të madhe të vendit, Lulzim Basha erdhi si një figurë që arriti të rrëzojë mitin e Edi Ramës, lidershipit socialist që për tre mandate arriti të korrë fitore me avantazh të madh ndaj rivalëve të tij demokratë.
Nga dje bashkia më e madhe në vend, qeveriset nga politikani lider i të djathtës, më i votuari brenda ne Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, por edhe më i votuari nga zgjedhësit e Tiranës.
Rrugëtimi i Lulzim Bashës drejt qeverisjes së kryeqytetit nuk erdhi kaq i papritur. Vokacioni i tij profesional si jurist, imazhi prej lideri të ri të pasprovuar në politikën e demokracinë e brishtë shqiptare, e solli atë në pranverën e vitit 2005 mes personaliteteve të Komitetit të Orientimit të Politikave.
Ishte koha kur demokratët pas një bilanci dështimesh elektorale kërkonin medoemos fitoren.
Nën këtë frymë, një nga figurat e reja të PD-së, ishte juristi i ri Lulzim Basha.
Ai hyri në politikën e zhurmshme shqiptare pas disa vitesh punë në Kosovë, ku mori pjesë në stafin e hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosovë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, më pas si këshilltar ligjor në UNMIK dhe në fund Këshilltar Special për Tranzicionin dhe përgatitjen e ministrisë së re të Drejtësisë në Kosovë, një karrierë tërësisht profesionale që mori jetë pas përfundimit të studimeve në universitetin e Utrehtit në Holandë, ku u specializua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare.
Hyrja në Komitetin e Orientimit të Politikave do t’i jepte Bashës një reputacion publik që do i hapte atij rrugën përdrejt qeverisë së re të ndryshimit, që do të fitonte zgjedhjet ndaj kundërshtarit politik Fatos Nano pas tetë vitesh në opozitë.
Nga zëdhënës i fushatës, politikani i ri Basha do të merrte në shtatorin e 2005-ës një nga portofololet më të rëndësishme, atë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit.
Lulzim Basha dukej qartë se kishte fituar besimin e liderit demokrat dhe kryeministrit të ri të vendit, Sali Berisha, i cili vinte në këtë post për herë të parë, pasi deri në vitin 1997 kishte ushtruar postin e Presidentit të Republikës.
Në krye të dikasterit të Transporteve ai do të shënonte nisjen dhe arritjen më të rëndësishme asokohe, ndërtimin e rrugës së kombit dhe tunelin e Kalimashit, që do të lidhte në një kohë të shkurtër shqiptarët e Shqipërisë me atë të Kosovës.
Për Lulzim Bashën këtu shënohet një arritje edhe shpirtërore, për shkak të lidhjes së gjakut me Kosovën.
Në vitin 2007 Lulzim Bashës i besohet portofoli i ministrit të Punëve të Jashtme, një kohë gjatë të cilës ai do të shënonte takime të rëndësishme për vendin, por edhe Kosovën.
Pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2009, që sollën edhe bojkotin e tejzgjatur të opozitës dhe bllokimin e shumë reformave të rëndësishme për vendin dhe integrimin në BE, Lulzim Bashës iu besua një tjetër portofol i rëndësishëm në qeverinë ‘Berisha 2’, ai i ministrit të Punëve të Brendshme, që për fat gjente një lidhje të tërë logjike me Bashkinë e kryeqytetit.
Një nga arritjet e tij në këtë post, por jo vetëm, është lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Europian.
Më parë ai kishte vënë në jetë edhe lançimin e pasaportës biometrike për shqiptarët.
Edhe pse pati akuza të drejtpërdrejta nga opozita për ngjarjet tragjike që pasuan demonstratën e 21 janarit, Lulzim Basha kishte tashmë një tjetër pikësynim, sytë e tij ishin drejtuar nga Bashkia e Tiranës.
Dhe, shefi i demokratëve Sali Berisha dukej se nuk kishte protagonist tjetër më të spikatur për ta vënë përballë lidershipit të opozitës Edi Rama.
Lulzim Basha i hyn garës për kreun e bashkisë me vendimin e parë për dorëheqje nga posti i ministrit të Brendshëm.
Një rrugëtim, që ai do ta përshkonte pa akuza politike duke i premtuar qytetarëve të Tiranës një kryeqytet europian dhe zgjidhjen e të tëra problemeve të tyre jetike në kryeqytet.
Ndaj edhe koalicioni për të cilin ai kandidoi në betejën elektorale të 8 majit, u quajt “Aleanca për Qytetarin”, një term kuptimplotë, që i kushtohet vetëm qytetarit.
Tashmë gjithçka është e qartë për Lulzim Bashën, duhet të vërë në jetë të gjitha premtimet e tij.
Ai sapo ka nisur rrugëtimin si kryetari i 23-të i bashkisë së Tiranës, me sfidën e madhe për tu kujtuar jo vetëm për këtë fakt, por edhe për gjurmët që do të lerë në historinë e kryeqytetit shqiptar.
mit/NOA