English

Parlamenti maqedonas zgjedh nesër Qeverinë e re

Shkup, 26 korrik 2011, NOA – Parlamenti maqedonas mblidhet ditën e mërkurë për të votuar qeverinë e re që do të drejtojë shtetin fqinj për mandatin e ardhshëm qeveritar.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski do të takohet sot me shefat e grupeve parlamentare për të vendosur mbi detajet e mbledhjes për zgjedhjen e Qeverisë së re. Fillimi i seancës është caktuar për nesër në mesditë, ndërsa votimi i qeverisë pritet të përfundojë nesër në mesnatë.

Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, që zgjidhet si kryeministri i gjashtë pas shpalljes së Pavarësisë së vendit, është mandatuar për të tretën herë për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë ky është mandati i dytë që ai e ndan me partinë shqiptare BDI.

Në mandatin e ri qeveritar, në postet e zëvendëskryeministrave të VMRO-DPMNE-së janë caktuar Zoran Stavrevski dhe Vladimir Peshevski, ndërsa nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi- zëvendëskryeministre për eurointegrime dhe Musa Xhaferi-zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit.

BDI do të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes për drejtimin e të cilës është caktuar Fatmir Besimi, ministrinë e Ekonomisë nga Valon Saraçini, të Drejtësisë nga Blerim Bexheti, Ambientit Jetësor nga Abdylaqim Ademi, të Pushtetit Lokal nga Nevzat Bejta, etj.

Ministre e Brendshme do të jetë rishtas Gordana Jankullovska, ndërsa në detyrën e ministrit të Jashtëm është përzgjedhur Nikolla Popovski, i cili deri tani ka ushtruar detyrën e ambasadorit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Ministra pa portofol janë Nexhdet Mustafa, Hadi Nezir dhe Vele Samak.

INA/NOA

KOMENTE