English

Policia e Kosovës vë nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë


Pikë kufitare e Kosovës me SerbinëMitrovicë, 26 korrik 2011, NOA – Mbrëmjen e të 25 korrikut, Policia e Kosovës vuri në jetë urdhrin e qeverisë për të vënë nën kontrollin e saj dy pikat kufitare me Serbinë, në veriun e banuar me shumicë serbe.

Njësitë e posaçme policore janë vendosur në vendkalimin kufitar në fshatin Bërnjak, ndërsa grupe qytetarësh serbë nuk kanë lejuar vendosjen e saj në vendkalimin në Jarinje. Policia informoi se grupe qytetarësh serbë kanë vendosur makineri të rëndë në rrugët që të çojnë në veri dhe situata është e tendosur, citon “Zëri i Amerikës”.

Autoritetet në Prishtinë nënvizojnë se vendimi për vendosjen e njësive të posaçme të policisë ishte veprim në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se nuk do të lejojnë vendosjen e kontrollit nga policia e Kosovës dhe kanë shfaqur drojën se situata mund të përshkallëzohet.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës bëri me dije sakaq se po bëhen përpjekje që gjendja të mbahet nën kontroll.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të përmbahen.

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, “EULEX nuk ka patur gatishmëri që të mbështesë këtë aksion”.

Ndërkohë vetë EULEX theksoi se rëndësinë e zgjidhjes së situatës aktuale përmes një rruge të qetë dhe paqësore.

Misioni EULEX nuk është e përfshirë në asnjë lloj mënyre me operacionin e zhvilluar nga grupet speciale të policisë së Kosovës.

Në deklaratën e EULEX theksohet se ky mision dhe Bashkimi Europian e kanë bërë të qartë se çështja e doganave duhet të zgjidhet përmes dialogut aktual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Veprimet e njëanëshme nga secila palë nuk ndihmojnë në këtë çështje. Mosmarrëveshjet, duhet të zgjidhen përmes rrugëve paqësore”, thuhet në deklaratë.

veri ndërkohë kanë mbërritur përforcime të KFOR-it, ndërsa komandanti i paqeruajtësve të NATO-s, gjenerali gjerman Erhard Buhler, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë ndaj situatës aktuale në veri.

Buhler theksoi se KFOR-i nuk pranon kurrfarë dhune dhe se në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme apo qëndrimet kundërthënëse duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

një komunikatë të zyrës së gjeneralit Buhler thuhet se KFOR është i informuar mbi situatën në veri dhe ka angazhuar njësi, që do të mund të ndërhyjnë në rast nevoje.

Ai e ka diskutuar zgjidhjen e situatës edhe me përfaqësuesit serbë, përfshirë edhe shefin e delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç.

Pak para fillimit të aksionit të policisë në orën 22.00 sipas orës lokale, qeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Hashim Thaçi ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të policisë Reshat Maliqi.

Nuk janë dhënë hollësi mbi këtë vendim, ndërsa edhe vet zoti Maliqi, tha se nuk ka njohuri për shkaqet, që mund të kenë nxitur një vendim të tillë.

Situata e tendosur ka mbretëruar gjatë tërë natës në veri, ndërsa forca të mëdha janë vendosur edhe në urën qendrore në lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

VOA/NOA

KOMENTE