Gjirokastër, 26 korrik 2011, NOA – Një tjetër zjarr i fuqishëm u përhap në fshatin Likomil në Dropullin e Sipërm në Gjirokastër duke e zgjeruar vatrën e tij deri në kufirin grek, por i neutralizuar gjatë mbrëmjes.
Zjarri i fuqishëm i të dielës pas shuarjes u riaktivizua rreth orës 11.00 të së hënës poshtë fshatit Likomil.
Zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës Gentian Mullai tha për agjencinë NOA se në ndihmë të shuarjes së zjarrit në vendngjarje përveç një makine zjarrfikëse të zonës ndodhej edhe një automjet zjarrfikës dhe një ekip i forcave zjarrfikëse të Janinës, që ishin aty prej natës së të dielës për shkak të zjarrit të madh që ra në kufirin me Greqinë.
Si pasojë e erës së fortë zjarri ka përfshirë oborret e dy banesave në fshatin Likomil duke djegur pjesërisht edhe një vresht me rrush.
Ndërhyrja e menjëherëshme e banorëve dhe punonjësve të policisë bëri të mundur shpëtimin e jetës së banorëve dhe banesave të tyre nga djegia e plotë.
Sipas policisë terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës automobilistike në këtë kodër e bënë të pamundur ndërhyrjen e makinës zjarrfikëse.
Por, era e fortë i ka përhapur flakët e zjarrit në disa drejtime duke i shtuar vatrat e tij në faqen e kodrës së Katundit në kufi me Greqinë, e duke bërë që zjarri të marrë përmasa të mëdha.
Ekipi specialist i zjarrfikësve të Janinës ka thirrur ndihmë nga Janina, autoritetet vendore të së cilës sollën tre avionë dhe dy helikopterë zjarrfikës, të cilët gjatë tërë pasdites së të hënës neutralizuan zjarrin e përmasave të mëdha deri në shuarjen e plotë të tij.
mit/NOA