E martë, 26 korrik 2011, NOA- Pas tensionimit të krijuar në veri të Kosovës mes serbëve dhe policisë kosovare, ka reaguar Presidenti Serb, Boris Tadiç.
Në fjalën e dhënë lidhur me këtë rast ai ka shtuar se dhuna mund të kërcënojë seriozisht dialogun mes dy vendeve.
Ai e ka cilësuar veprimin e policëve të Kosovës si të papranueshëm, pas konfliktit me serbët lokalë.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe UNMIK, i cili ka apeluar për bashkëpunim mes KFOR dhe EULEX për të zgjidhur situatën.
Më tej është bërë thirrje për përmbajtje, duke shprehur edhe shqetësimin për situatën në Veri, UNMIK shtoi se çështja duhet të zgjidhet përmes dialogut.
Ndërkaq situata në veri të Kosovës tensionohet në vijimësi, pas vendimit të qeverisë kosovare për shtrirje e kontrollit në 2 pikat kufitare të Bërnjakës dhe Jarinkës, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Gjithsesi Ministria e Brendshme e Kosovës, ka konfirmuar se pikat kufitare 1 dhe 31, janë nën kontrollin e policisë kosovare.
Aksioni i policisë, u ndërmor me vendim të qeverisë kosovare, pasi në këto dy pika nuk zbatohej embargoja dhe kamionët serbë hynin në Kosovë në mënyrë të pakontrolluar.
Lidhur me këtë fakt, tensioni u krijua pasi serbët lokalë kundërshtuan aksionin e policisë duke bllokuar rrugët si dhe duke goditur me mjete të forta në drejtim të policisë.
a.y/NOA