Prishtinë, 26 Korrik 2011 NOA - Aksioni i policisë në veri të vendit për të rivendosur kontrollin në pikat kufitare, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur dhe me qëllim provokues.
këtë pohim bëri sonte Kryeministri i Kosovës gjatë një konference për shtyp ku ka nënvizuar se qëllimi i vetëm ka qenë vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
Si kryeministër i Kosovës ai ka shprehur publikisht admirimin për forcat e rendit: "Vendimi i mbrëmshëm ka qenë jo i lehtë, por i drejtë dhe i domosdoshëm, në fund të fundit si kryeministër kam përgjegjësi morale dhe ligjore të marr vendime të rënda, por është e rëndësishme të jenë vendime të drejta".
"S’mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që sovraniteti ynë të cenohet, që një pjesë e atdheut të përdoret për kontrabandë", tha kryeministri Thaçi.
Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi, kurse Beogradit i ka bërë thirrje që të evropianizojë qasjen në raport edhe me shtetin e Kosovës, duke thënë se bashkëpunimi është në interes të të dyja shteteve.
Thaçi ka porositur se s’do të bëjë kompromis me askënd për sigurinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, dhe se vendimi është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
“Partneritetin me miqtë ndërkombëtar duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, tha zoti Thaçi, ndonëse bëri të ditur vendosmërinë e tij për respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e sovranitetit të Republikës.