Prishtinë, 26 korrik 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shkarkoi nga detyra mbrëmë në orët e darkës Drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Maliqin.
Zyra e shtypit pranë kryeministrit në njoftimin e saj të publikuar mbrëmjen e vonë të së hënës bën me dije se “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 94 paragrafit (10) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 43.1 (a) të Ligjit Nr.03/L-035 për Policinë, ka marrë vendim që të shkarkojë z.Reshat Maliqi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”.
Ende nuk dihen shkaqet që e çuan shefin e qeverisë së Kosovës në marrjen e këtij vendimi.
Ai u mor pak pasi në veri të Kosovës, Policia e Kosovës vuri nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës, Mitrovicë, e banuar nga shumicë serbe.
Ndërkohë që pika kufitare në fshatin Bërnjak është vënë nën kontroll nga Policia e Kosovës, në vendkalimin kufitar në Jerinje, efektivët e policisë nuk janë lejuar nga grupe qytetarësh serbë, të cilët kanë vendosur barrikada me makineri të rëndë në rrugët që të çojnë në veri.
Ndërkohë sipas mediave situata në veri të Kosovës është e tendosur.
Drejtori i saposhkarkuar i Policisë së Kosovës nuk e ka komentuar këtë vendim të kryeministrit Thaçi, porse ai nuk është ende në dijeni të motivacionit të shkarkimit nga detyra.
mit/NOA