English

Vendime të rënda

Si Kryeministër kam përgjegjësi morale, kushtetuese dhe ligjore të marr vendime të rënda. Por është e rëndësishme që këto vendime të jenë të drejta. Dhe unë jam i bindur se kemi marrë vendimin me te drejtë te mundshëm. Ne nuk mund të jemi indiferentë dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës. Ne nuk mund të tolerojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cenohet

Nga Hashim Thaçi

Mbrëmë, njësitë speciale të policisë së Republikës së Kosovës janë autorizuar për fillimin e veprimeve konkrete për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare 1 dhe 31.

Më lejoni, para së gjithash të them, se veprimi i ndërmarrë mbrëmë në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur dhe me qëllim provokimi.

Në fakt, qëllimi i vetëm ka qenë dhe është vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Si kryeministër i Kosovës, dua që publikisht të shpreh admirimin tim për guximin dhe profesionalizmin e dëshmuar mbrëmë, sot dhe kurdoherë nga policia e Kosovës.

Dua t’i përgëzoj për përkushtimin e tyre personal dhe institucional për të përmbyllur me sukses misionin e tyre.

Por, në këtë moment që po flas, ju e dini se kemi një pjesëtar të policisë së Kosovës të plagosur rëndë. E di se mjekët janë duke bërë të gjithçka për ta shpëtuar jetën e tij dhe janë duke iu dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore edhe policëve të tjerë të lënduar që janë jashtë rrezikut për jetë.

Prandaj, sonte lutjet e mia dhe të popullit të Kosovës janë me policët e lënduar në krye të detyrës.

Uroj që të shërohen shpejt dhe të vazhdojnë të jenë shembuj të mbrojtjes të rendit, ligjit, dhe uniformës policore.

Po ashtu, dua të shpreh konsideratën dhe respektin tim për të gjithë ushtarët e KFOR-it që u përkujdesen për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë.

Me lejoni të theksoj se “tokës i japin jetë njerëzit që jetojnë në të”. Prandaj, unë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe komunave tjera në veri, të cilët përkundër vështirësive dhe sfidave, qëndruan në shtëpitë e tyre.

Dua, që përmes kësaj deklarate t’u drejtohem edhe qytetarëve serb të Kosovës që jetojnë në veri: veprimet e bëra sot dhe mbrëmë nuk janë të drejtuara kundër jush por në shërbim të sigurisë tuaj.

Në fakt, ne synojmë që edhe për qytetarët tanë që jetojnë në veri t’i ofrojmë të njëjtat mundësi dhe shërbime, si për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Qytetarë të dashur,

Vendimi i mbrëmshëm ka qenë jo i lehtë, por i drejtë.

Ka qenë vendim për veprim të domosdoshëm.

Në fund të fundit, si Kryeministër kam përgjegjësi morale, kushtetuese dhe ligjore të marr vendime të rënda.

Por është e rëndësishme që këto vendime të jenë të drejta.

Dhe unë jam i bindur se kemi marrë vendimin me te drejtë te mundshëm.

Ne nuk mund të jemi indiferentë dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës.

Ne nuk mund të tolerojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cenohet.

Nuk mund të lejojmë që një pjese e atdheut tonë të përdoret e shfrytëzohet si vendkalim për mallra të kontrabanduara.

Kjo është në kundërshtim jo vetëm me parimet e ligjeve dhe kushtetutës sonë, por në kundërshtim të plotë me vlerat dhe parimet evropiane.

Ne jemi munduar që përmes dialogut me Serbinë të zgjedhim shumë probleme praktike.

Përderisa ne kemi kërkuar bashkëpunimin e Serbisë, kjo assesi nuk nënkupton që Serbisë do t’i jipet e drejta e vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Unë ftoj qytetarët e Kosovës për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi.

Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme.

Të bashkuar si popull dhe politikë do t’ia dalim.

Ju ftoj për forcimin e unitetit qytetar e politik – të bashkuar do të kemi sukses.

Ne nuk do të bëjmë kompromis me askënd për sigurinë e vendit tonë.

Ne nuk do të bëjmë kompromis me askënd për të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore.

Ne vetëm po ushtrojmë të drejtat tona ligjore dhe kushtetuese.

Vendimi ynë është legjitim, legal dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

I bëjë thirrje Beogradit, që të reflektojë dhe të evropianizojë qasjen në raport me Kosovën dhe rajonin.

Ne jemi për bashkëpunim rajonal dhe respekt reciprok për çka stimulojmë ekonominë e lirë të tregut dhe presim të njëjtën gjë ta bëjnë edhe të tjerët.

Në fund të fundit, ne të gjithë duhet të punojmë që i tërë rajoni të jetë pjesë e një familje të madhe evropiane, ku kufinjtë relativizohen falë bashkëpunimit.

Përderisa mundohemi dhe punojmë që të kultivojmë bashkëpunimin dhe partneritetin më BE-në dhe partnerët tanë perëndimor, ndodhë që përkundër objektivave të përbashkëta që kemi, ndonjëherë të mos kemi dinamikë te njëjtë drejt përmbushjes së qëllimeve tona të përbashkëta.

E kam thënë që partneritetin me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta ruajmë si sytë e ballit, por kushtetuta dhe sovraniteti i vendit tim janë të shenjta për mua dhe shkojnë përtej çdo partneritet dhe lojaliteti.

Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë është demonstrim i drejtpërdrejt i përcaktimit tonë për rend dhe ligj, demonstrim i qartë i përcaktimit tonë për luftimin e krimit dhe korrupsionit në çdo cep të Kosovës.

Ky ka qenë përcaktimi im dje, sot dhe kështu do të mbetet përgjithmonë.

Për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara.

Shteti i Kosovës do të konsolidohet dhe do të forcohet çdo ditë.

Shteti i Kosovës do të bëhet pjesë e NATO-s dhe e BE-së.

Të kemi besim në perspektivën tonë euroatlantike dhe në harmoni të brendshme e paqe me të tjerët.

* Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit

KOMENTE