Prishtinë, 26 Korrik 2011 NOA - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behxhet Pacolli, ka komentuar zhvillimet e fundit pas vendimit të kryeministrit Thaçi për dërgimin e njësive speciale në pikën 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
“Dërgimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri ka vetëm një qëllim - të vendosë rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës, t’iu sigurojë qytetarëve atje, pa dallim, një jetë të qetë dhe pa brenga, dhe të implementojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit me shtetin serb”, ka thënë Pacolli i cituar nga radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, çdo tentativë për t’i dhënë kah tjetër këtij aksioni, është e papranueshme.
“Kosova është shtet, ky është një fakt që shumë mirë e dinë serbët dhe si i tillë po funksionon. Topi është në anën e Serbisë. Në momentin që ata heqin bllokadën, të cilën e kanë zbatuar që nga viti 2008, atëherë të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ne. Veprimet tona janë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka theksuar Pacolli.