English

Albtelecom dhe Telekom Italia Sparkle, rrisin kapacitetin e linjës optike Bari - Durrës

E mërkurë, 27 korrik 2011, NOA- Albtelecom në bashkëpunim partnerin italian Telekom Italia Sparkle kanë prezantuar në një konferencë të përbashkët për shtyp programin e tyre për rritjen e kapacitetit të linjës optike Bari-Durrës për transmetime deri në 20 Gbps, që do të thotë 8 herë më i lartë se kapaciteti ekzistues (2.5 Gbps). Ndërkohë që ky rrjet lejon rritjen e kapacitetit deri në 80 Gbps.

Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun, Drejtori i Përgjithshëm i Telecom Italia Sparkle (TIS) z. Paolo Ferrari, Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, z. Genc Pollo dhe kryetari i AKEP z. Piro Xhixho.

Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun theksoi se kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për Albtelecom. Duke dhënë një panoramë të qartë të investimeve të mëdha dhe rritjes së kapaciteteve të shërbimit, z. Coskun theksoi se çdo investim ka për qëllim rritjen e kënaqësisë së abonentëve, dhe ofrimin e shërbimeve me çmime mjaft të arsyeshme.

Ndërkohë, Drejtori i përgjithshëm i Telecom Italia Sparkle (TIS) z. Paolo Ferrari, tha se Albtelecom për TIS është një partner shumë i rëndësishëm, pasi Shqipëria për vetë pozicionin e saj strategjik të saj luan rol të rëndësishëm edhe për rajonin, lidh Italinë me shtetet përreth si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe më gjerë. TIS ofron shërbime ndërkombëtare në vendet e Mesdheut, Afrikë të Veriut, Lindje të Mesme, Turqi, Greqi, Shqipëri, etj.

Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo përshëndeti këtë nismë shumë të rëndësishme, të ndërmarrë në kohën e duhur. “Mendoj se kemi hedhur një nga hapat kyç për zhvillimet e mëtejshme. Përgëzojmë Albtelecom-in së bashku me partnerin e tij TIS bashkëpronar të linjës trans-adriatike për rritjen shumë të rëndësishme të kapaciteteve të kësaj linje, çka do të japë mundësi furnizimi për të gjithë përdoruesit, me cilësi të mirë dhe me çmim të mirë.

Ndërsa kryetari i AKEP Piro Xhixho e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si arritje të jashtëzakonshme të Albtelecomit. “Vitet e fundit Albtelecom-i padyshim ka bërë hapa që ndikojnë direkt në treg. Futja në treg e Eagle Mobile qe një sukses i jashtëzakonshëm për çmimet që ndryshuan dhe ofertat e reja. Përgëzoj Albtelecomin që arriti të bëjë një përmbysje të rëndësishme.

Kjo rritje kapaciteti do të mundësojë shërbime më cilësore të internetit në Shqipëri, lidhje me Internetin Global përmes një “First Tier Suplier”, ofrim të shërbimeve më cilësore për ISP (Internet service provider) në vend, mundësi për të ofruar shërbime për ISP-të e vendeve fqinje, etj.

Ky proces, i mbështetur edhe nga investimet e Albtelecom në rrjetin kombëtar me Fibër Optike do të mundësojë gjithashtu edhe ofrimin e shërbimeve të linjave ndërkombëtare me qera dhe njëkohësisht do të mbështesë më mirë edhe shërbimet ‘Cloud Computing’.

TIS dhe Albtelecom do të bashkojnë forcat edhe për të mbështetur shërbimet cilësore të “Data Center Respective”.

Vlen të theksohet fakti që Albtelecom po kryen investime serioze në infrastrukturë që t’i përgjigjen nevojave të zhvillimit të vendit dhe rritjes së mëtejshme ekonomike.

Albtelecom që prej një viti nëpërmjet investimeve të bëra ka rritur kapacitetin e lidhjes me internetin global nga 7.5 Gbps në 12.5 Gbps dhe së shpejti ky kapacitet do të shkojë në 20 Gbps.

Projekti i Rrjetit Kombëtar backbone me fibra optike është konceptuar në dy pjesë, ku pjesa e parë parashikon rritje kapaciteti për të gjitha linjat backbone ekzistuese dhe që në total shkon më tepër se 500 km gjatësi fibrash optike. Deri tani është kryer afro 70 % e totalit të zbatimit të këtij projekti.

Ndërkohë, pjesa e dytë e projektit përfshin ndërtimin e linjave backbone të reja interurbane në Shqipëri. Në këtë fazë të dytë është parashikuar ndërtimi i një rrjeti 800 km me fibra optike ku është zbatuar më shumë se 85% e këtij projekti.

Ky projekt ka për qëllim rritjen e kapacitetit të rrjetit kryesor, krijimin e pikave lidhëse me shtetet fqinje dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Në katër vite, që pas privatizimit të Albtelecom, janë shtruar gjithsej 1500 km kabllo.

NOA

KOMENTE
  • Mali19:34 - 27 Korrik 2011
    Marveshjet po arrihen por populli ndjehet i denuar ekonomikisht nga faturarat e ngarkuara me shuma te pa perballushme te albtelekomit,kjo ndodh se esht kompani e vetme qe kooperon ne kukes,un per vete tani me ket rast do heq nga familja ime telefon dhe internet megjith se i kam te domosdoshem,kosoven e kemi komshi,atje nje abonim mujor kushton 12 euro me 55 kanale televizive