English

Basha hap dyert e bashkisë, pret qytetarët e Tiranës

Tiranë, 27 Korrik 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka takuar sonte qytetarët në zyrën e tij, pas ftesës që u bëri publikisht për të pritur banorët e kryeqytetit.

Bashkia i hapi zyrat në orën 18.30. Mijëra qytetarë iu përgjigjën ftesës dhe vizituan Bashkinë, si dhe takuan kryetarin e ri, Lulzim Basha. Takimi me qytetarët vazhdoi për afro dy orë dhe z.Basha ka përshëndetur një pas një shumë kryeqytetas.

Ndonëse ishte një takim pritjeje me popullin, ai mbeti honorifik, pasi një takim kokëkokë me qytetarë hallexhinj pritet të bëhet të premten kur edhe është dita e përjaveshme e bashkive për pritjen e qytetarëve.

Në takimet e sotme, dominoi dëshira e kryeqytetasve për t'u takuar me z.Basha dhe për ta uruar atë për detyrën e re. Hapur, ata i kanë bërë të qartë z.Basha se kanë shumë shpresa tek ai, për një ndryshim pozitiv të jetës së ture në Tiranë.

a.y/NOA

KOMENTE