Tiranë, 27 korrik 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha i propozoi sot Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, për arsye të mbarimit të mandatit, dhe emërimin në këtë detyrë të Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi.
Malaj u emërua në kryë të Shabit të Përgjithshëm afro 3 vjet më parë, pas ngjarjeve në Gërdec, të cilat prekën drejtuesit e ushtrisë shqiptare.
Agjencia NOA sjell propozimin e plotë të kryeministrit drejtuar presidentit Topi, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
Z. BAMIR TOPI
T I R A N Ë
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 169, të Kushtetutës, të neneve 7, pika 5, 16, pikat 2 e 3, dhe 30, pika 3/a, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1/a, të nenit 22, të ligjit nr.9171, datë 22.1.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”
P R O P O Z O J:
1. Gjeneral Brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të mbarimit të mandatit, më datë 28.7.2011, të lirohet nga kjo detyrë.
2. Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, të emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
a.q/NOA