Uashington, 27 korrik 2011, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën keqardhjen ndaj operacionit të Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, duke deklaruar se veprimet nuk ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të përmbahen dhe të mos përdorin dhunën, duke apeluar që të vijojnë të punojnë në mënyrë urgjente për qetësimin e situatës aktuale.
DASH bëri me dije se lëvizja e lirë e produkteve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të kryehet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE.
Deklarata e DASH-it e cituar nga RFE, thekson prerë se “Hapat e njëanshëm nga të dyja palët, imponimi i Serbisë për embargo të njëanshme të prodhimeve të Kosovës nga viti 2008 dhe vendimi i fundit i Kosovës për të vendosur reciprocitet pas dështimit të të dyja palëve të arrijnë marrëveshje për normalizimin e doganave rezultuan në rrugë pa krye”.
RFE/mit/NOA