English

Haxhinasto: Mbështesim sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin

Tiranë, 27 korrik 2011, NOA – Pas tërheqjes së trupave specialë të Policisë së Kosovës nga dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri të Kosovës ka reaguar edhe Tirana zyrtare përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së policit Enver Zymberi dhe dhunën e ushtruar nga forcat serbe.

një deklaratë të publikuar në websitin e MPJ-së, kreu i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto shprehet se po ndjek me vëmendje zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Republikës së Kosovës, duke shprehur keqardhjen për humbjen e jetës së një polici si dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga dhuna e ushtruar.

Ministri Haxhinasto rithekson mbështetjen e Shqipërisë ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së njohur ndërkombëtarisht nga 77 shtete, si një faktor paqeje dhe stabiliteteti në Ballkan.

“Është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të “Strategjisë për Veriun” të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e zotit Haxhinasto.

Ai i bëri thirrje palës kosovare dhe serbe që problemet e mbetura mes tyre t’i zgjidhin përmes procesit të dialogut.

Sipas Haxhinastos është thelbësore që konkluzionet e arritura mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci ndërkombëtare.

mit/NOA

KOMENTE