Prishtinë, 27 korrik 2011, NOA- Është shpallur “Hero i Kosovës”, polici, i cili u vra nga forcat serbe mbrëmjen e djeshme në veri të vendit.
Presidentja Atifete Jahjaga ka marrë vendimin që Enver Zymberi, polic i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i vrarë në krye të detyrës, të dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Motivacioni është: Për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores për Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3 dhe 5. Mediat kosovare, shkruajnë se Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
a.q/NOA