English

Masakra në Norvegji, zbulohet eksplozivi në fermën përrallore të përbindëshit Breivik

Oslo, 27 korrik 2011, NOA – Një depozitë sekrete me eksploziv është gjetur në fermën e përbindëshit të Norvegjisë Anders Behring Breivik që mori me gjakftohtësi të frikshme jetën e 76 personave në sulmin e dyfishtë terrorist në Oslo dhe masakrën në ishullin Utoya.

Policia norvegjeze zbuloi vendin ku Breivik kishte fshehur eksplozivin në fermën e tij përrallore në Asta, të cilën vrasësi ekstremist që shokoi Norvegjinë e kishte marrë me qera në muajin prill, enkas për të përgatitur dhe vënë në jetë skenarin e dhunshëm terrorist, atë më të madhin që goditi vendin, por jo vetëm, pas luftës së dytë botërore.

Zbulimin e arsenalit të eksplozivit e bëri publik prokurori Trine Dyngeland, i cili tha se eksplozivi u shkatërrua plotësisht me një shpërthim të kontrolluar.

Gjatë operacionit nuk pati asnjë problem dhe askush nuk mbeti i plagosur, tha prokurori Dynegeland, duke mos dhënë shpjegime të tjera mbi sasinë e eksplozivit të gjetur.

Ferma në Asta me një sipërfaqe rreth katër mijë metra katror e marrë me qera nga vrasësi i tmerrshëm i Norvegjisë ndodhet në një zonë të izoluar larg kontrolleve të policisë.

Ferma u zgjodh pikërisht për këtë fakt nga Breivik, i cili kreu gjithçka pa rënë në sy të askujt.

mit/NOA

KOMENTE