English

Mbrojtja e konsumatorit në Tiranë, Basha përzgjedh LSI, prezanton Panaritin

Tiranë, 27 korrik 2011, NOA/Albana Qehajaj – Kompletohet kabineti i cili do të menaxhojë bashkinë e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit Lulzim Basha.

Pas emërimit dje të nënkryetares së parë, Jorida Tabaku, Basha ka përzgjedhur në krah të tij një aleat të fortë të demokratëve gjatë zgjedhjeve vendore, LSI.

Edmond Panariti, i prezantuar sot nga basha si nënkryetari i dytë i bashkisë, do të përfaqësojë LSI në strukturat drejtuese të bashkisë më të madhe në vend.

Nëse për Tabakun sfida e portofolit të saj zyrtar është punësimi, për Panaritin misioni kryesor është mbrojtja e konsumatorit.

“Panariti, me një background të konsoliduar akademik në fushën e ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, është një nga personat e pakët, që gëzojnë eksperiencë menaxheriale në fushën e mbrojtjes së konsumatorit. Në detyrën e tij të re, ai do të fokusohet në këtë çështje tepër të rëndësishme, mbrojtjen e konsumatorit në të gjitha aspektet”, u shpreh Basha, ku shtoi se mbrojtja e konsumatorit do të jetë në parametra evropiane.

“Mbrojta e konsumatorit është emergjente. Kemi dhe sfida të tjera përpara, siç është mbrojtjen e mjedisit dhe gjelbërimi i kryeqytetit që janë po aq të rëndësishme”, u shpreh Panariti.

Basha i ka dhënë fund në këtë mënyrë përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë gjatë mandatit të tij të parë në krye të bashkisë së Tiranës.

Tashmë janë bërë edhe emërimet në krye të Këshilli Bashkiak, ku kryetar është Njazi Kosovrasti, ish përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ si edhe Zamir Ndroqi, në pozicionin e nënkryetarit.

Brenda pak ditësh, pritet të plotësohen edhe vendet vakante të drejtorëve të sektorëve, pas dorëheqjes në grup të shefave të mëparshëm, pjesë ë stafit të ish kryetarit Edi Rama.

Ajo çka dihet tashmë është se, socialistët nuk do të kenë asnjë përfaqësim në strukturat drejtuese të bashkisë së drejtuar prej tyre për afro 11 vjet.

a.q/NOA

KOMENTE