Tiranë, 27 korrik 2011, NOA- Qarkullimi i masave ajrore mesdhetare të ngrohta dhe të ngopura me lagështirë do të kushtëzojnë në vendin tonë mot kryesisht të paqëndrueshëm. Kështu mëngjesi do të nisë me mot të kthjellët në të gjithë territorin por duke ju afruar orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash ku më të theksuara do të jenë në ekstremin verior duke gjeneruar shira të izoluar.
Sipas MeteoAlb, edhe pasditja do të vijojë me të njëjtat kushte meteorologjike ku kthjellimet do të jenë dominuese në zonat e ulëta dhe bregdetare duke lenë zonat malore me vranësira dhe herë pas here shira të dobët e afat-shkurtër. Gjatë natës parashikohet që të ketë shtim të vranësirave në të gjithë territorin.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë 1- 2 gradë rritje si në vlerat minimale edhe në ato maksimale. Zonat më të nxehta do të jenë ultësira perëndimore ku termometri do të ngjitet deri në 33 - 34 gradë celcius.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 25 km/h dhe drejtim Jugperëndimor ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë 2- 3 ballë.
Europa
Nesër, pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të mbetet me mot të paqëndrueshëm duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë dominues në të gjithë kontinentin. Më problematike situata paraqitet në ishujt Britanike, Europën Qendrore, dhe Rajonin e Mesdheut ku shirat do të bien me intensitet të lartë. Shira të dendur do të bien në Zonen e Alpeve në veri të Italisë si edhe në Gjermani e Austri ku herë pas here do të ketë edhe stuhi ere. Gjithashtu shira në formë rrebeshi do të ketë në Britani, Norvegji dhe ne Balltik ku temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta për shkak të prezencës së një fronti të ftohtë i vendosur mbi këto rajone. Kthjellime dhe vranësira kalimtare do të ketë në Europen jugperëndimore, juglindore dhe një pjesë të Europës Lindore.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Italia veriore do të mbetet me shira intensive dhe stuhi ere
- Vendet nordike rrezikojnë shira intensive dhe temperatura të ulëta
- Zona e Alpeve alarmon shira intensive dhe stuhi të forta ere
a.y/NOA