Parlamenti i MaqedonisëShkup, 27 korrik 2011, NOA – Parlamenti i Maqedonisë mblidhet në mesditë për të votuar kabinetin e ri qeveritar të kryeministrit Nikolla Gruevski.
Seanca pritet të jetë maratonë për shkak se kanë kërkuar fjalën për të diskutuar gjatë saj mbi 100 deputetë nga 123 që numëron Parlamenti.
Për këtë arsye seanca e votimit të qeverisë do të zhvillohet për dy ditë me radhë. Paraprakisht fjalime mbi qeverisjen e re do të mbajnë shefat e grupeve parlamentare.
Në takimin e djeshëm koordinues midis shefave të grupeve parlamentare i drejtuar nga kryetari i kuvendit është rënë dakord që seanca e sotme të zgjasë deri në orën 20.00, ndërsa përfundimi i saj është përcaktuar deri nesër para mesnate.
Programi i ri i Qeverisë bazohet në tri pika: zhvillim ekonomik, integrim në BE dhe NATO si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Brenda tij janë parashikuar edhe pjesë të platformës zgjedhore të BDI-së.
Qeveria e koalicionit përbëhet nga VMRO-DPMNE me partitë e vogla si dhe BDI, e cila do të ketë dy zëvendëskryeministra (Teuta Arifi për eurointegrime dhe Musa Xhaferi për Marrëveshjen e Ohrit), si dhe pesë ministri: Fatmir Besimi – ministër i Mbrojtjes, Blerim Bexheti – ministër i Drejtësisë, Abdylaqim Ademi – ministër i Ambientit Jetësor, Valon Saraçini – ministër i Ekonomisë, Nevzat Bejta – ministër i Pushtetit Lokal.
Pas seancës së sotme ku do të votohet kabineti i ri qeveritar i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe BDI, të premten është afati i fundit për dorëzimin dhe votimin në parlament të emrave të propozuar për zëvendësministra.
Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, që zgjidhet si kryeministri i gjashtë pas pavarësimit të vendit, shënon mandatin e tretë për formimin e Qeverisë, dhe të dytën aleancë qeveritare me partinë shqiptare BDI.
INA/mit/NOA