English

Pollo: Përkrahje për çdo nismë që lidh Shqipërinë me botën

Tiranë, 27 korrik 2011, NOA - Albtelecom dhe Telekom Italia Sparkle nisin bashkëpunimin në rritjen e kapacitetit të fibrave optike Bari-Durrës

Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo ishte i pranishëm sot në nënshkrimin e marrëveshjes mes Albtelecom në Shqipëri dhe Telekom Italia Sparkle për projektin e rritjes së kapacitetit të kabllit transadriatik me fibra optike Bari-Durrës.

Gjatë takimit Ministri Pollo se, “Marrëveshja midis Albetelecom dhe Telecom Italia Sparkle për rritjen e kapacitetit të kabllit transadriatik me fibër optike është një lajm i mirë për Shqipërinë Digjitale, për përdoruesit e internetit, për ISP-të në vend, si dhe për shumë palë të tjera. Kjo pasi ngushtica e deritanishme e infrastrukturës, që lidh Shqipërinë me exchange-t e mëdha të Evropës, zgjerohet dhe bëhet gati autostradë. Ne e përkrahim këtë nismë dhe investim, siç kemi përkrahur çdo nismë tjetër, që zhvillon infrastrukturën lidhëse të Shqipërisë me botën. Urojmë që kjo të sjellë edhe më shumë konkurrencë, si dhe internet me cilësi të mirë dhe çmim të lirë për gjithkënd.”

Ky projekt ka për qëllim rritjen e kapacitetit të rrjetit kryesor, krijimin e pikave lidhëse me shtetet fqinje dhe rritjen e cilësisë së shërbimit dhe parashikon rritjen e kapacitetit të fibrave optike me transmetime deri në 20 Gbps, që do të thotë 8 herë më i lartë se kapaciteti ekzistues. Ndërkohë që ky rrjet lejon rritjen e kapacitetit deri në 80 Gbps.

Rritja e kapacitetit si më sipër do të mundësojë shërbime më cilësore të internetit në Shqipëri, lidhje me Internetin Global përmes një “First Tier Suplier”, ofrim të shërbimeve më cilësore për ISP (Internet service provider) në vend, mundësi për të ofruar shërbime për ISP-të e vendeve fqinje, etj.

Ky proces, i mbështetur edhe nga investimet e Albtelecom në rrjetin kombëtar me Fibër Optike do të mundësojë gjithashtu edhe ofrimin e shërbimeve të linjave ndërkombëtare me qera dhe njëkohësisht do të mbështesë më mirë edhe shërbimet ‘Cloud Computing’.

a.q/NOA

KOMENTE