E mërkurë, 27 korrik 2011, NOA- (Update) Pika kufitare e Bërnjakut ka qenë sulmi i radhës i banorëve serbë në veri të Kosovës.
Pas djegies së pikës kufitare 1 në Jarinjë, zjarri këtë herë ka ardhur drejt pikës tjetër kufitare të Bërnjakut asaj 31.
Gjithsesi mësohet se dëmi dhe pasojat në këtë pikë doganore kanë qenë më të vogla pasi ndërhyrja e trupave franceze të KFOR-it ka qenë e menjëhershme.
Ndërkaq siç raportojnë mediat kosovare, në vendin e ngjarjes, me shumë vonesë, kanë mbërritur trupat ushtarake të KFOR-it amerikan, të cilët kanë bllokuar rrugën prej pikës kufitare të Jarinjës drejt Mitrovicës.
Mësohet se serbët e rebeluar vazhdojnë të gjuajnë me armë, ndaj policëve kosovar dhe trupave të KFOR-it.
Por menjëherë pas sinjalizimit për këto ngjarje Presidenti Serb Boris Tadiç ka reaguar duke apeluar për qetësi ndaj bashkëkombasve Serbë të Kosovës.
“Ndërprisni dhunën në Jarinjë, ata që nxisin dhunën nuk e mbrojnë Serbinë, ne e denoncojmë djegien e pikës kufitare”, është shprehur Tadiç.
Gjithsesi të dhënat paraprake flasin se djegia e dy pikave kufitare në veri të Kosovës është bërë nga ekstremistë serbë.
a.y/NOA