Në këtë mënyrë, rriten shpresat për t’u larguar edhe produktet e dobëta serbe që po gëlonin në këtë rrjet supermarketesh, e po ashtu mallrat e shumta me skadencë të kaluar që gjendeshin në këto markete si dhe çmimet e larta të një pjese të madhe të produkteve.
Delhaize Group përfundon blerjen e Delta Maxi dhe bëhet lider i shitjes me pakicë për Europën Juglindore
Tiranë, 27 Korrik 2011 NOA – Serbët që para disa vitesh blenë rrjetin e marketeve Euromax, përfundimisht largohen nga ky biznes që kishin në Shqipëri përmes kompanisë Delta Maxi. Në këtë mënyrë, rriten shpresat për t’u larguar edhe produktet e dobëta serbe që po gëlonin në këtë rrjet supermarketesh, e po ashtu mallrat e shumta me skadencë të kaluar që gjendeshin në këto markete si dhe çmimet e larta të një pjese të madhe të produkteve.
Zyrtarisht, Delhaize Group (Euronext Brussels: DELB - NYSE: DEG), shitësi ndërkombëtar belg i pakicës në industrinë ushqimore njoftoi sot se ka marrë aprovimet e pakushtëzuara të të gjitha autoriteteve kontrolluese dhe, siç e kishte njoftuar më parë, ka përfunduar blerjen e shitësit me pakicë Serb, Delta Maxi. Së bashku me operatorët ekzistues në Greqi dhe Rumani, transaksioni e bën Delhaize Group, një lider në Europën Juglindore.
Pierre Olivier Beckers, President dhe Drejtor Ekzekutiv i Delhaize Group tha: “Ky transaksion përputhet në mënyrë të përsosur me Planin e Lojës të Re, planin tonë strategjik të fokusuar në përshpejtimin e rritjes së të ardhurave. Përfshirja e Delta Maxi në grupin tonë, bashkë me bizneset tona ekzistuese në Rumani dhe Greqi, e bën Delhaize Group një lider në rajon. Ne kemi ndërmend të rrisim biznesin tonë në këtë pjesë premtuese të Europës.”
“Kemi kënaqësinë të mirëpresim 15’000 bashkëpunëtorët e Maxi në Delhaize Group dhe kemi ndërmend të vazhdojmë t’u shërbejmë klientëve të Delta Maxi duke u mbështetur në përvojën ndërkombëtare të Delhaize Group.” tha Kostats Macheras Zëvendës President Ekzekutiv i Delhaize Group dhe Drejtor Ekzekutiv i Europës Juglindore. “Jemi të lumtur që kemi pasur sukses në përfundimin e transaksionit brenda afatit kohor të përcaktuar. Që prej ditës së sotme ne mund të integrojmë në mënyrë të efektshme Delta Maxi në organizatën tonë Delhaize Group, diçka që kemi qenë duke e përgatitur tashmë prej disa muajsh. Ne kemi ndërmend të vazhdojmë të investojmë në forcimin e dyqaneve lokale të Delta Maxi dhe në forcimin e marrëdhëniet me furnizuesit lokalë”.
Delhaize Group ka blerë Delta Maxi për 932.5 milionë euro, përfshirë borxhin neto si edhe rregullimet e tjera ligjore prej 318 milionë eurosh. Në Serbi, Delta Maxi operon me afërsisht 350 dyqane dhe është shitësi më i madh me pakicë në industrinë ushqimore. Delta Maxi filloi aktivitetin në vitin 2000 dhe operon me përafërsisht 450 dyqane në Serbi, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Në fund të 2011, rrjeti i Delta Maxi i shtrirë në 5 shtete pritet të numërojë afërsisht 500 dyqane. Rezultatet e Delta Maxi do të regjistrohen në ato tw Delhaize Group që prej 1 Gushtit 2011 dhe do të raportohen si pjesë e segmentit operues në Europën Juglindore dhe në Azi. Transaksioni përfshin një pjesë të rëndësishme të pronësisë së pasurive të patundshme të dyqaneve në Serbi dhe shtatë qendrave të shpërndarjes.
Menjëherë pas mbylljes së procedurave të blerjes, Delhaize Group do të fillojë ta integrojë Delta Maxi plotësisht në linjën e vendimeve strategjike vendosura më parë në Planin e Lojës së Re. Në përfundim të kësaj, Delhaize Group, gjatë tremujorëve të ardhshëm, do të fokusohet në zhvillimin e planeve të qarta strategjike lidhur me politikën e çmimeve, produkteve, brandimin si dhe organizimin e menaxhimit për të siguruar rritjen e vazhdueshme e të suksesshme në rajon. Kjo për të siguruar më shumë se 20 milionë euro në sinergjitë e fitimeve vjetore neto (EBIDTA) para taksave, interesave, zhvlerësimit dhe amortizimit, veçanërisht nga përmirësimi i prokurimit, menaxhimi më i mirë i inventarit, financim të optimizuar, sistemeve të teknologjisë së përcjelljes së informacionit (IT) dhe sistemeve të zinxhirit të furnizimit që nga fundit të vitit 2013.
e.t/NOA