E mërkurë, 27 korrik 2011, NOA- Lidhur me situatën e ndodhur në veri të Kosovës gjatë ditës së djeshme mes banorëve serbë dhe policisë së Kosovës ka reaguar Presidenti i Serbisë Boris Tadiç.
Lidhur me konfliktet dhe tensionet në këtë zonë ai ka thënë se Serbia nuk dëshiron të futet në luftë, duke kritikuar më tej veprimet e policisë në veri.
Sipas tij dhuna e demonstruar gjatë ditës së djeshme paraqet dhe përfshin rreziqe të jashtëzakonshme, ndërsa shtoi më tej se populli serb nuk do ndërhyrje ushtarake.
Pavarësisht se sipas tij në Serbi, ka parti politike dhe individë që besojnë se tani ekziston nevoja për të hyrë në konflikt, për të filluar luftëra të reja dhe dhunë të re, ai bëri thirrje që vendi të mos bjerë në kurthin që ra në vitet ‘90. Deklarata e kreut të shtetit Serb erdhi gjatë vizitës së tij në Pragë.
Ndërkaq një ditë pas aksionit të policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë që shënoi vdekjen e njërit prej punonjësve të njësisë speciale të policisë së Kosovës, Enver Zymberit, i qëlluar me snajper nga serbët, mëngjesin e sotëm u tërhoqën forcat speciale të Kosovës nga dy vendkalimet e Bërnjakës dhe Jerinjës në veriun e banuar me shumicë serbe.
a.y/NOA