English

Tahiri: Kosova mbetet e vendosur për bashkëpunim dhe dialog me Serbinë

Prishtinë, 27 korrik 2011,NOA-Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri gjatë ditës së sotme priti në një takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, Ingrid Johansson.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, duke folur për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masa të reciprocitetit tregtar, tha se Republika e Kosovës për gati tre vjet ka toleruar asimetrinë tregtare me Serbinë ngase ishte e angazhuar që përmes dialogut teknik të arrihet marrëveshja për tregtinë e lirë midis dy shteteve.

Sipas saj duke qenë se Serbia nuk u tregua e gatshme ti njohë vulat e doganave të Republikës së Kosovës, u mor vendimi për masa të reciprocitetit në zbatim të parimeve evropiane dhe CEFTA-së.

Më tej ajo shtoi se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë me përpikëri këtë vendim dhe për këtë ka urdhëruar Policinë e Kosovës që ti marrë nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë, si dhe luftimit të informalitetit dhe krimit të organizuar.

Në vijim Tahiri siguroi diplomaten suedeze se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për politika të bashkëpunimit dhe dialogut dhe se marrëveshjet e arritura paraprakisht mes Kosovës dhe Serbisë janë në proces të përgatitjes për zbatim.

Dialogu është një mundësi për zgjedhjen e problemeve praktike në mes të dy vendeve dhe kontribut për paqen dhe stabilitetin, tha ajo si dhe kërkoi mbështetjen e Suedisë për integrimin e Kosovës në bashkësinë euro-atlantike, duke veçuar liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale si prioritete për këtë periudhë.

Ndërkaq nga ana e saj e ngarkuara me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë Ingrid Johansson vlerësoi lartë marrëveshjet e para të arritura mes dy vendeve dhe nevojën për zbatimit e tyre, ndërkaq, shprehu shqetësimin e saj për mosgatishmërinë e Serbisë për marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe mirëkuptimin e reagimit të Kosovës për masa të reciprocitetit.

Sakaq ajo ftoi të dy vendet që të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve dhe të afrimit me BE-në

a.y/NOA

KOMENTE