English

Tërhiqen forcat speciale të Policisë së Kosovës nga veriu

Mitrovicë, 27 korrik 2011, NOA – Një ditë pas aksionit të policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë që shënoi vdekjen e njërit prej punonjësve të njësisë speciale të policisë së Kosovës, Enver Zymberit, i qëlluar me snajper nga serbët, tërhiqen forcat speciale të Kosovës nga dy vendkalimet në veriun e banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë publik nga zëdhënësi i forcave speciale të policisë së Kosovës vetëm pak minuta më parë.

Dy pikat kufitare me Serbinë ajo e Bërnjakës dhe e Jerinjes që u vunë nën kontroll nga njësia e forcave speciale të Policisë së Kosovës, mesnatën e të hënës, tashmë janë nën kontrollin e policisë së Kosovës dhe doganierëve sikundër kanë qenë edhe më parë.

Ky është vendimi më i fundit i marrë nga qeveria e Kosovës pas deklaratave të djeshme dhe thirrjeve të Brukselit se aksioni në veri ishte i padobishëm dhe i pakoordinuar me ndërkombëtarët.

Mediat serbe citonin sot zyrtarët e qeverisë në Serbi që thanë se njësitë speciale të Policisë së Kosovës do të tërhiqen nga dy vendkalimet pikërisht në orën 08.00, lajm ky që nuk konfirmohej nga qeveria e Kosovës.

Tërheqja e forcave speciale të policisë së Kosovës pritet të sjellë tashmë edhe zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës nga qytetarët serbë në zonën e Mitrovicës dhe qetësimin e situatës në veri.

Popullata serbe e mbështetur nga autoritetet e Beogradit ka vendosur mbrëmë barrikada në rrugët e fshatit Rudar, në komunën e Zveçanit, në vendkalimin Jarinjë si dhe në fshatin Zupç të Zubin Potokut.

mit/NOA

KOMENTE