E mërkurë, 27 korrik 2011, NOA- (Update) Pika kufitare e Jarinjës e cila u sulmua dhe iu vu zjarri pak më parë nga qytetarë serbë është vënë nën kontroll.
Pas kësaj sipas mediave kosovare, dhjetëra automjete të blinduara të KFOR-it gjerman, të cilat për disa orë ishin të stacionuara te vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës” në veri të Mitrovicës, i kanë thyer barrikadat e vëna nga grupet ekstremiste serbe dhe janë nisur në drejtim të pikës kufitare Jarinje, për t’u shkuar në ndihmë pjesëtarëve tjerë të KFOR-it për të vënë rendin dhe ligjin në këtë pikë kufitare.
Mësohet se autor të kësaj vepre të kenë qenë një grup i terroristëve serbë rreth 50 vetë të cilët kanë hedhur bomba molotovi në drejtim të pikës kufitare në veri të Kosovës.
Theksohet fakti se Serbët që kanë djegur pikën kufitare kanë qenë të veshur me maska në kokë dhe se fillimisht ata e kanë dëmtuar pikën kufitare 1 dhe më pastaj i kanë vënë flakën.
Ndërkaq në këtë pikë raportohet të ketë patur edhe këmbime zjarri.
Nga ana e tij ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka dënuar djegien e pikës kufitare në Jarinjë duke u bërë thirrje Serbëve në veri të Kosovës, që të mos lejojnë që grupet ekstremiste të nxisin konfliktet.
a.y/NOA