Tiranë, 27 korrik 2011, NOA – Policia e Tiranës ka zbardhur incidentin e mesditës në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, ditën e sotme rreth orës 14.00’ në afërsi të rrugës shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, si pasojë e një konflikti të çastit pas përplasjes me automjete, është plagosur me armë zjarri shtetasi Roland Hasan Tufa, 30 vjeç, me banim në Tiranë.
Menjëherë në vendngjarje shkuan Oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, Ekspert Kriminalist, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe kqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat.
Për hetimin e kësaj ngjarje, u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, të cilët aktualisht po kryejnë proçedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore dhe proçeduriale.
Sa më sipër, si rezultat i hetimeve të gjithanshme, u konkludua se ngjarja ka ndodhur për motive të dobta pas përplasjes së dy automjeteve tip - Suzuki me targë TR 5019 G dhe Reno AA574AI, ku dy drejtuesit janë konfliktuar.
Fatmirësisht, i plagosuri 30 vjeçar Roland Tufa ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Aktualisht po punohet intesivisht për kapjen e autorit tashmë të identifikuar ndërkohë që materialet proçeduriale në lidhje me këtë ngjarje, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim të mëtejshëm.
a.q/NOA