English

Bleona: “As Eliza Dushku dhe askush tjetër mos të abuzojnë me patriotizmin në kurrizin tim”

Një rrëfim i çiltër i këngëtares së mirënjohur, Bleona Qereti. Ndonëse jeton në Beverly Hills, Los Angeles, teksa bisedon me të, është e lehtë të kuptosh se ajo jeton gjatë gjithë kohës me vendin ku u lind. Nuk resht së foluri për jetën në Shqipëri, ndalet te projekti i saj për një tur botëror koncertesh. Dhe e gjitha kjo, që të mund të shohë flamujt shqiptarë të valëviten në sallat e koncerteve, duke i dhuruar siç thotë ajo, emocionin që i dhurohet nga shqiptarët, ose shkurt, është motivi për të cilin ajo investon kaq shumë në karrierën e saj. Në intervistën për “Koha Jonë”, Bleona zbulon për herë të parë dhe një këngë me motive shqiptare që sapo ka mbaruar e që vjen nga ylli i muzikës botërore, Timbaland, i cili do të jetë producenti i këngës së saj surprizë që së shpejti pritet ta prezantojnë së bashku, në Shqipëri

“Nuk kam asnjë arsye pse ta mohoj origjinën time”. Një përgjigje e thjeshtë dhe bindëse, për të gjithë ata që prej disa ditësh nuk po reshtin së shprehuri nota patriotike të ndezura, në kurriz të këngëtares së mirënjohur shqiptare Bleona Qereti, duke shfrytëzuar copëza intervistash dhe prononcimesh të saj në media dhe publik.

Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Bleona Qereti shfrytëzon rastin siç thotë, që “t’u dërgoj një mesazh personal te gjithë fansave te mi për t’i dhënë fund te gjitha keqkuptimeve apo spekulimeve me apo pa dashje qe janë bërë me emrin tim apo me fjalët e mia në lidhje me intervistën e fundit”. Bleona i referohet intervistës për një televizion mode ku intervistuesi e uron për marrjen e shtetësisë amerikane dhe këngëtarja vijon bisedën në anglisht.

“Do të doja t’i siguroja dhe një herë të gjithë ju që unë jam shumë krenare që jam shqiptare. Po ashtu, jam shumë krenare për gjakun që rrjedh në venat e mia dhe për më tepër, nuk kam absolutisht asnjë arsye pse ta mohoj origjinën time”.

Në këtë mënyrë, Bleona u jep fund zërave të përhapura prej ditësh duke e ngarkuar atë me “antishqiptarizëm”.

Dhe si për t’i “goditur” me dhurata shqiptarët kudo që janë, Bleona zbulon dhe planin e saj ambicioz: Një tur botëror koncertesh ku ajo që do të bjerë më shumë në sy dhe do të dominojë më fort, do të jetë pafundësia e flamujve shqiptarë.

Këtë, Bleona e sheh si një emocion të veçantë ose siç thekson ajo, “vetë emocionin e kësaj jete”. Ndaj nuk fsheh padurimin kur thotë se “po pres që të kem turin tim botëror dhe sallat e Londrës, ato në Gjermani, Zvicër, Itali, Greqi, etj., do të mbushen me flamuj shqiptarë. Për Bleonën, “asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi” sepse siç këmbëngul ajo, “kjo është ajo që më jep emocion dhe më bën të eci përpara”.

***

Duke dashur të jetë sa më e hapur me të gjithë fansat dhe ata që ndjekin karrierën e saj, Bleona nuk e sheh aspak si shenjë dobësie, kur thotë se “do të doja t’u kërkoja ndjesë atyre që me të vërtetë janë keqkuptuar, duke u thënë: Ju lutem kini parasysh mos ngatërroni pasaportën me kombësinë”.

Dhe në të vërtetë, Bleona këtu ka të drejtë, pasi ajo që po lakohet shumë së fundi, është pasaporta amerikane që ka marrë pasi prej kohësh jeton në Shtetet e Bashkuara, sigurisht duke mos iu ndarë sa më shumë mundet, vendit ku u lind.

***

Duke qenë e çiltër para fansave, Bleona pohon se ajo është duke ndjekur një ëndërr që shumë artistë në Shqipëri e kanë: “Jam duke ndjekur një ëndërr që shumë artistë të tjerë e kanë në vendin tonë, siç është pozicionimi i artistëve shqiptarë në radarin e muzikës botërore dhe vendosja e Shqipërisë në hartë, në një tjetër dimension”. Dhe Bleona siguron se “jam duke u përpjekur me çdo forcë që kam dhe në çdo qelizë në trupin tim për të realizuar këtë ëndërr”.

E duke qenë fare e hapur me çdokënd, Bleona ka një kërkesë të thjeshtë por të rëndësishme për të: “Ajo që mua më duhet tani është mbështetja juaj morale dhe dashuria juaj e sinqertë”.

Sepse siç ajo thekson dhe nuk harron, “duhet të dini që ju jeni ata që me keni sjellë deri këtu dhe unë e kam këtë eksperiencë nga koncertet që kam bërë për ju”. E sigurisht këtu nuk duhet të harrojmë jo vetëm koncertet e shumta që janë organizuar sistematikisht, por edhe shumë të tjera koncerte, humanitare që Bleona ka bërë gjatë gjithë karrierës së saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe viset shqiptare përtej kufirit, sidomos në Kosovë dhe diasporë.

Bleona pohon se ajo është e lënduar nga fakti që disa njerëz ndoshta me qëllim, “kanë spekuluar me fjalët e mia, duke luajtur me pikën më të dobët të të gjithë ne shqiptarëve që është patriotizmi”. Ajo që për Bleonën është serioze mbetet fakti se të tilla përpjekje, më së paku vijnë thjesht për të shitur gazetat por në këto kushte ata hedhin baltë mbi përpjekjet e saj.

Në debatin e gjerë që u hap për nacionalitetin, mediat kosovare përfshinë dhe Eliza Dushkun, aktoren e njohur amerikane me origjinë shqiptare. Në të vërtetë, zyrtarisht Eliza Dushku nuk ka publikuar ndonjë deklaratë ku të kritikojë intervistën e Bleonës për televizionin amerikan të modës, por këto media tërhoqën një paralele kur thanë se “përkundër Bleonës që heziton të flasë shqip në mediat amerikane, Eliza Dushku jep një mësim të mirë duke bërë të kundërtën”. E pyetur nga “Koha Jonë” lidhur me këtë tymnajë tjetër, Bleona kritikon mënyrën si Eliza po bën PR (marrëdhëniet me publikun), në kurriz të saj: “Përsa i takon Eliza Dushkut, ajo në mënyrën më amerikane të mundshme që mund të ekzistojë në metodat e PR po e shfrytëzon këtë në funksion të publicitetit të saj vetjak. Përgjigja ime është e thjeshtë: Më vjen shumë mirë që Eliza Dushku ashtu si të gjithë ne, është krenare që është shqiptare, dhe ne të gjithë krenohemi me të, por një tatu nuk mund të krahasohet me sakrificat që të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë kemi bërë gjatë viteve ’90 kur zonja Dushku kalonte një adoleshencë të qetë në Amerikë, pasi nuk ka krahasim me adoleshencën qe ka kaluar brezi im. Të gjithë ne pa përjashtim kemi përjetuar vështirësi që të sigurojmë bukën e gojës dhe kemi kaluar shumë net pa drita e pa ujë dhe nuk na shkonte mendja të dilnim neper disko pasi prioritetet tona ishin shumë të ndryshme nga adoleshentët e tjerë nëpër botë”. Këtu, Bleona i kujton Elizës dhe një fakt të hidhur kur ish-kryeministri Ylli Bufi më 1991 bëri deklaratën e frikshme: “Ajo nuk ka ide se çfarë do të thotë të jesh 10 vjeç dhe të dëgjosh kryeministrin e vendit në lajme të thotë: “Kemi dhe 6 ditë bukë!”. Më tej, Bleona thekson faktin se jeta e Elizës, në të kundërt, “ka qenë e sigurt nga te ardhurat e familjes se saj, krahasuar me baballarët tanë të cilët kanë punuar nga 40 vjet dhe nuk kanë asgjë e megjithatë ne asnjëherë nuk jemi ankuar por jemi krenarë për vendin dhe gjakun që na rrjedh në trup”. Në këtë pikë, Bleona vlerëson se sa i përket temës sensitive të atdhetarizmit, do të ishte e turpshme të shfrytëzohej në “PR vetjak të stilit amerikan duke vënë veten në qendër të vëmendjes”. Kurse shton: “Ajo është si puna e Ganit tim, është rritur me biskota e del tani të më hedhë mua gjithë punën poshtë”.

Duke mbyllur këtë kapitull, Bleona i sugjeron Elizës se “nëse ajo do publicitet këtë nuk duhet ta bëjë në kurrizin tim”. Pikërisht për këtë, Bleona pohon se “i dërgova mesazh direkt në Twitter”. Ndërsa duke i vënë kapak temës së atdhetarizmit të shumëpërfolur, Bleona pohon: “Unë nuk e kam mohuar dhe s’kam asnjë arsye të mohoj origjinën time sepse nëse do ta bëja këtë askush në Amerikë nuk do të më referohej me termin “The singer from Albania”.

Bleona kujton edhe faktin se në thuajse të gjitha aktivitetet e organizuara, “sa herë unë kam takuar njerëz me peshë u kam prezantuar Shqipërinë, perlën e Evropës me bregdetin më të bukur në botë”. Ndërsa u ka theksuar edhe faktin se “vajzat shqiptare të gjitha si unë nuk konsumojnë cigare, alkool apo drogë”. Dhe këtu, ajo e ka përshkruar karakterin shqiptar “si një nga karakteret më të forta në natyrën njerëzore”.

***

Tani që mban veç kombësisë dhe shtetësisë shqiptare, edhe shtetësinë amerikane, sigurisht që për Bleonën mundësitë për të çarë më shumë në tregun ndërkombëtar të muzikës bëhen më të mëdha.

Por sa më të mëdha janë mundësitë aq më e madhe është dhe lufta që bëhet. Këtë e pranon vetë Bleona kur thotë: “Po konkurroj si këngëtare në një qytet që ka një konkurrencë të jashtëzakonshme talenti dhe vetëm një zemër me një pasion te çmendur dhe një kokë shqiptari mund të depërtojë në konkurrencën e jashtëzakonshme që ekziston në këtë qytet. Duke e ditur këtë, Bleona ka plane konkrete: “Unë kam akoma shumë punë për të bërë dhe do t’ju kërkoja vetëm të prisni dhe pak në mënyrë që unë të flas me vepra dhe jo me fjalë”. Apeli që Bleona u bën fansave të saj, është që të presin derisa ajo të përfundojë projektin e saj, për të cilin po punon pareshtur këto kohë.

E sigurisht, pjesë e këtij plani është që Bleona të marrë vëmendjen e duhur nga mediat nacionale amerikane. Për Bleonën, kjo është një mundësi ideale “në mënyrë që unë të mund të shpreh kush jam, nga vij dhe çfarë po bëj”.

Dhe si një dhuratë fantastike për të gjithë shqiptarët, ekskluzivisht për “Koha Jonë”, këngëtarja e mirënjohur zbulon surprizën e mrekullueshme: Një këngë me motive shqiptare realizuar nga i famshmi Timbaland, producenti i këngëve të Justin Timberlake me të cilin kanë bërë bujë dhe me këngën që interpretojnë së bashku: “Carry out”.

Bleona rrëfen se kënga e realizuar prej këngëtarit dhe producentit Timbaland, vjen me kërkesën dhe idenë e saj. “Kjo këngë me motive shqiptare sapo ka përfunduar dhe shpresoj se së shpejti do të vijmë në Shqipëri për një koncert së bashku”, - tregon Bleona.

Marrë nga “Koha Jonë”

KOMENTE