Prishtinë, 28 korrik 2011, NOA- Parlamenti i Kosovës mesditën e sotme nisi seancën e jashtëzakonshme për situatën në veri të vendit ku pritet të miratohet rezoluta për fuqizimin e institucioneve dhe ushtrimin e sovranitetit mbi të gjithë territorin.
Pas një fjalimi të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili u zotua se qeveria mbetet e vendosur të mos ketë kthim prapa deri në vendosjen e kontrollit të plotë në doganat e Kosovës, grupi parlamentar i PDK-së prezantoi një rezolutë, me të cilën kërkohet që Kuvendi t’i japë mbështetje qeverisë, në vendosjen e rendit në veri.
Nëpërmjet kësaj rezolute kërkohet që prezenca e ndërkombëtarëve të ketë një rol kyç për situatën në vend.
Nëpërmjet rezolutës kërkohet gjithashtu mbështetja e qeverisë për vendosjen e rendit dhe ligjit.
Sakaq kërkohet që qeveria me mjetet e saj ligjore të ruajë tërësinë territoriale si dhe të fuqizohet e drejta kushtetuese në të gjithë territorin e vendit.
Ndër të tjera Kuvendi fton faktorin ndërkombëtar për përkrahjen e vendosjes së rendit dhe ligjit si dhe fton qytetarët e Kosovës të respektojnë vendimet e institucionit të Kosovës për sundimin e ligjit. Sakaq nëpërmjet kësaj rezolute u bëhet thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe rendin kushtetues si dhe kërkon të respektohen masat e reciproritetit me Serbinë në pikat doganore.
a.y/NOA