English

Legalizimi i dokumenteve me Italinë nga 1 korriku në Ministrinë e Jashtme

E enjte, 28 korrik 2011, NOA- Dokumentet shqiptare që të njihen në Itali para së gjithash duhet të pajisen me vulën e Apostilës nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare e më pas të përkthehen në gjuhën italiane.

Mësohet se që nga data 1 korrik, përkthimet në gjuhën italiane të dokumenteve mund të bëhen pranë kësaj Zyre Konsullore.

Më 26 maj mes Shqipërisë dhe Italisë hyri në fuqi Konventa e Hagës mbi Apostilën, falë së cilës dokumentet shqiptare nuk duhet të legalizohen më pranë Përfaqësive diplomatike – konsullore italiane në Shqipëri.

Mbi heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve zyrtare të huaja, tashmë të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me vulën Apostile, pa patur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo Konsullatat në Vlorë dhe Shkodër.

Mësohet se të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet italiane do të legalizohen vetëm në Institucionet italiane të autorizuara, me vulën Apostile, pa patur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën e Shqipërisë në Romë apo Konsullatat në Milano dhe Bari.

Ndërsa dokumenti i përkthyer nuk do të legalizohet, vetëm do t’i bashkëlidhet dokumentit origjinal i cili do të jetë i legalizuar më parë me vulën Apostile në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Lidhur me këtë çështje për të favorizuar publikun është hapur posaçërisht një sportel që do të merret vetëm me përkthimet për të cilën nuk do ketë nevojë të fiksohet takim më parë. Kështu orari i hyrjes është nga ora 09.00 deri 12.30, nga e hëna në të premte.

Çmimet e shërbimeve konsullore:

• përkthim i nje akti te gjendjes civile: 6,20 Euro për fletë;

• përkthim për aktet e tjera: 12, 40 Euro për fletë;

• legalizimi i firmës së përkthyesve të betuar: 15,50 Euro për çdo akt

Krahas kësaj theksohet se për dokumentat e përkthyera nga Konsullata nuk nevojitet legalizimi i firmës.

a.y/NOA

KOMENTE