Tiranë, 28 korrik 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama, ka dënuar aktet e dhunës së provokuara nga qarqe të caktuara serbe në veri të Kosovës.
Ai i ka cilësuar këto akte si të shëmtuara ndërsa ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimin për humbjen e jetës së një punonjësi të policisë në detyrë dhe plagosjen e shumë të tjerëve.
“Për LSI-në, tërësia territoriale e Kosovës, pavarësia e Kosovës, sovraniteti i saj, vlerat qytetare të shoqërisë kosovare që janë në unison me vlerat evropiane janë të patjetërsueshme, dhe nga kjo pikëpamje nga ky qëndrim i yni ne inkurajojmë, qeverinë e Kosovës dhe të gjitha autoritetet legjitime të shtetit të Kosovës të përmbushi të gjitha detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës dhe që vijnë në përputhje të plotë me interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Rama.
Sipas tij, aktet e dhunës dhe provokime të tilla të shëmtuara jo vetëm që nuk i shërbejnë klimës së fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok midis dy shteteve fqinj, siç janë tashmë Kosova dhe Serbia, por përkundrazi ato sjellin në vëmendje faktin që shfaqje të tilla që na kujtojnë një politikë të dështuar dhe të dënuar përfundimisht që nuk mund t’i shërbejë integrimit evropian të Serbisë fqinje me Kosovën.
Në emër të LSI ai theksoi se, dialogu midis këtyre dy shteteve fqinjë në përputhje me interesat europiane të të dy popujve, në përputhje me aspiratën e artikuluar të të dy shteteve për integrimin evropian dhe mbi platformën e partneritetit të ngritur mbi rekomandimet e Bashkimit Evropian janë zgjidhja e vetme dhe rruga e arsyeshme nëpër të cilën duhet të ecë më tej zgjidhja e kësaj situate.
a.y/NOA