Bulqizë, 28 korrik 2011, NOA – Minatorët e minierës së Kromit në Bulqizë kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës së urisë nën tokë.
Gjendja shëndetësore e 20 minatorëve sa vjen e rëndohet për shkak të kushteve të rënda 1400 metra nën tokë.
Por, pritet që kërkesat jetike të minatorëve të marrin një përgjigje sot.
Pas afro 20 ditësh protestë dhe tri ditësh grevë urie Qeveria dhe ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës mësohet të kenë pranuar kërkesat e tyre.
Këtë lajm të shumëpritur nga minatorët e ka konfirmuar kreu i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura, Kol Nikolla.
Sipas Nikollës janë pranuar katër kërkesa.
“Dje u pranua nga ministria, largimi i firmave pirate. Është pranuar nga pronari i ACR-së rritja e pagës prej 10-20 përqind, rritja e kushteve të sigurisë në punë që është problem thelbësor. Gjatë ditës presim vendime të rëndësishme”, tha Nikolla, duke theksuar se kërkesat janë pranuar publikisht.
Porse ai kërkoi që të firmoset një marrëveshje për pranimin e kërkesave të minatorëve.
Pa një marrëveshje të firmosur minatorët ngulmojnë se do ta vijojnë grevën e urisë deri në fund.
Afro 700 minatorët e Bulqizës kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës në galeritë e nëndheshme të minierës së kromit, e marrë me koncesion nga kompania austriake ACR.
Kjo e fundit deri tani nuk ka pranuar asnjë prej kërkesave të minatorëve, ndërkohë që mediat publikojnë se METE e ka gjobitur atë me 56 milionë lekë për shkak se nuk ka bërë asnjë investim në minierë, ku minatorët rrezikojnë jetën përditë.
Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritjen 20 përqind të pagave, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin dhe sigurinë e kushteve të punës, uljen e moshës së pensionit, miratimin e statusit të minatorit dhe largimin e subjekteve të paliçencuara nga miniera.
mit/NOA