English

Miratohet rezoluta për sovranitetin, KFOR mbyll kufirin në Jarinjë

Prishtinë, 28 korrik 2011, NOA- Paralamenti i Kosovës pas një sërë debatesh dhe fjalimesh miratoi me 89 vota pro dhe 9 kundër rezolutën për Kosovën, e ardhur kjo pas konflikteve në veri mes Serbëve dhe policisë së Kosovës.

Kjo rezolutë erdhi me propozimin e grupit parlamentar të PDK-së dhe nëpërmjet saj synohet ushtrimi i sovranitetit mbi të gjithë territorin si dhe fuqizimi i institucioneve.

Më herët shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci lexoi pikat e rezolutës, duke thënë se, “Kuvendi fuqizon të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin. Kuvendi mbështet Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit. Kuvendi kërkon nga Qeveria që me mjetet e saj ligjore dhe kushtetuese të ruajë tërësinë territoriale. Kuvendi kërkon që të respektohen masat e reciprocitetet me Serbinë në të gjitha pikat doganore. Kuvendi fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e vendit në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin. Kuvendi i Kosovës fton qytetarët që t’i respektojnë vendimet e qeverisë dhe u bënë thirrje që pa asnjë dallim ta ruajnë qetësinë dhe rendin kushtetues”.

Ndërkaq pak para miratimit të rezolutës forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë njoftuar se pika kufitare 1 në Jarinjë është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja.

Ndërsa në vijimësi nga ana e KFOR vazhdon zbarkimi i trupave në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

a.y/NOA

KOMENTE