Tiranë, 28 Korrik 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Ndonëse sinjalet ishin dhënë prej kohësh, daljet e sotme publike të Topit dhe Berishës, treguan fare qartë një ndarje përfundimtare mes tyre dhe për më tepër, shpalljen e secilit armik të tjetrit.
“Lojën” e ka nisur i pari kryeministri Sali Berisha i cili doli në një konferencë për shtyp, ku jo vetëm e thumboi presidentin që vjen nga radhët e PD, por edhe e cilësoi si njeri të dështuar në përpjekjet e tij për ta ndihmuar kryetarin e PS, politikisht.
Menjëherë pas Berishës, ishte radha e Topit, i cili duke mos dalë vetë, por duke vënë në lëvizje një mori këshilltarësh që ka në Presidencë, doli me një komunikatë që ishte edhe më e hidhur në terma se ajo e Berishës, madje edhe me kërcënime.
Si nisi replika mes Berishës dhe Topit në prag pushimesh
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Kryeministri Sali Berisha e atakoi direkt Presidentin, kur përmendi se ai votoi për Edi Ramën më 8 maj. Sulmi erdhi pasi Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të ketë një kompromis me PS për presidentin e ri më 2012.
Berisha siguroi se zgjedhja e Presidentit do të bëhet vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe paralajmëroi se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Ndryshe nga çdo herë tjetër, Berisha ishte mjaft i shkurtër në përgjigjet e tij.
E duke thumbuar sa Ramën e sa Topin, tha: “Z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë. Duhet ta kuptojmë këtë”.
Duke e theksuar fort faktin sipas Berishës së Topi ka qenë në krah të Ramës, kryeministri ka nxjerrë këtu dhe paaftësinë e të dyve sipas tij për të përfituar diçka nga e gjithë kjo:
“Të kërkosh ndryshime kushtetuese sepse do ta fusësh presidentin gjysmë në xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo?. Gjërat duhet të kenë thelbin e arsyes. Çfarë i dha atij Presidenti? 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e tij pro”.
Dhe në përfundim të takimit me mediat, fjalët e Berishës ishin: “Ju uroj të gjithëve pushime të mbara, sepse gushti është muaji i pushimeve”, duke lënë të kuptojë se ndoshta gjatë gushtit, pak ose aspak do ta shohim nëpër media.
Përgjigja flakë për flakë e Topit dhe kërcënimet e tij
Vetëm pak orë ishin të mjaftueshme që Presidenti të reagonte fort për deklaratat e z.Berisha. që në fillim të prononcimit për publikun, z.Topi i konsideroi komentet e Berishës si amorale kur tha se “çdo përpjekje apo aludim që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”.
Kurse më pas, u ankua se “përgjatë muajve të fundit ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese”.
Presidenti ka paralajmëruar edhe se ai i ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin. Duke dashur të gjejë ndoshta mbështetje nga ndërkombëtarët, z.Topi e ka theksuar fort nxitjen që thotë se i ka bërë aktorëve politikë.
Por menjëherë më pas i kujtoi Berishës se sipas tij, po shpif për të dhe po krijon tension. Këtë Topi e bëri duke i kujtuar kryeministrit dhe mbështetësve të tij në sulmet ndaj kreut të shtetit, se “kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet” dhe aluduar se në të kundërt, “në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqena, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit”.
Këtu, Presidenti ka akuzuar ca më keq Berishën se po tërheq vëmendjen “nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Në replikën e tij me Berishën, z.Topi ka folur dhe për votën e 8 majit që u zbulua të ishte për kryesocialistin Rama.
“Çdo tentativë për intepretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve”, - u shpreh kreu i shtetit.
Po tani?
Me atë që mund të quhet ndarje përfundimtare, Berisha dhe Topi sot treguan se nuk mund të bashkëqeverisin së bashku, ndonëse kjo gjë dihej prej muajsh madje prej mëse dy vjetësh.
Ajo që tani është në pikëpyetje të madhe, është, kush do të fitojë në luftën e pashpallur mes Topit e mbështetësve të tij dhe Berishës me mbështetës, për të fituar trofeun.
a.y/e.t/NOA