Venecia, 28 korrik, NOA – Një në tre fëmijë që lindin së fundmi në Itali, ka gjithmonë të paktën një prind me origjinë të huaj.
Statistika konfirmohet nga zyra italiane e emigracionit në rajonin e Venetos në Itali, duke shtuar se një pjesë të konsiderueshme të kësaj kategorie zënë edhe fëmijët me prindër shqiptarë.
Edhe këtë vit, bashkësia më e gjerë është ajo e rumunëve me gati 100 mijë emigrantë të ligjshëm në të gjithë rajonin, e ndjekur nga marokenët me 56.000, shqiptarët me 42.000, moldavianët 29 mijë dhe kinezët 27 mijë.
Në fakt, sipas raportit në fjalë, në total në vitin 2010, ka rezultuar se një e pesta e fëmijëve të lindur në spitalet italiane është nga prindër emigrantë.
Por në muajt e parë të këtij viti, ky proporcion është shtuar edhe më shumë, duke kaluar në raportin e një të tretës.
"Ky është një fenomen që vazhdon të rritet mjaft, - thotë Anastasia Bruno, nga kjo zyrë, - dhe ezulton të jetë në përputhje të përkryer me pjesën tjetër të Evropës". Nga ana tjetër, numri i të huajve të të gjitha moshave në rajonin e Venetos është rritur me gati njëzet herë gjatë dy dekadave të fundit.
Nga vetëm në 30.000 të tillë në fillim të viteve ‘90, të huajt kanë ardhur duke u shtuar dhe mund të kalojnë shifrën prej 2 milionësh deri në vitin 2030.
Ndërkaq, sipas këtij raporti, fëmijët që ndjekin shkollat e huaja janë tani 83.000, shifër kjo që përfaqëson 10 për qind të popullatës shkollore në të gjithë rajonin.
Pra, të huajt janë të integruar gjithnjë dhe shihet gjithnjë e më shumë se pavarësisht krizës, flukset nuk kanë çuar në ndonjë pengesë që emigrantët të gjejnë strehim në Veneto në shtëpi me qira ose të blera nga bashkatdhetarët e tyre.
n./NOA