Nju Jork, 28 korrik 2011 - Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mblidhet sot me urgjencë për të diskutuar tensionin më të fundit në veri të Kosovës, i përshkallëzuar me akte dhune nga ekstremistë serbë pas marrjes nën kontrollin e trupave specialë të policisë së Kosovës, dy netë më parë, të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Bërnjakës dhe Jarinjes.
Këshilli i Sigurimit nuk ka dhënë pëlqimin për kërkesën e Serbisë që të diskutohet me dyer të hapura, duke bërë me dije se sesioni i sotëm do të jetë me dyer të mbyllura.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania deklaruan se kjo çështje mund të presë derisa të mbahet takimi i rregullt për Kosovën, në muajin e ardhshëm.
Megjithatë KS ka arritur kompromis dhe ka rënë dakord që takimi të mbahet sot.
Takimi në OKB u thirr pas tensionimit të situatës në Mitrovicën veriore dhe djegies mbrëmë nga ekstremistë serbë të pikës kufitare të Jarinjes.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp afër mesnatës së të mërkurës fajësoi për sulmet në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 grupe të organizuara kriminale të udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe të motivuara nga autoritetet e Beogradit.
Sipas kryeministrit Thaçi sulmi është orkestruar nga udhëheqja e lartë e Beogradit.
Ai e cilësoi politikën e Beogradit ndaj Kosovës si politikë vandalizmi.
RFE/mit/NOA