Tiranë, 28 korrik 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi ka dekretuar pak më parë ligjin e shumë debatuar për regjistrimin e popullsisë.
Ky ligj i cili për muaj me radhë ka shqetësuar dhe është kritikuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, ndër ta më aktivja Aleanca Kuq e Zi, kritikohet kryesishet për përkatësinë etnike dhe fetare.
Ndërkaq po sot nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu deklaroi sot se nuk do të tolerohet servilizmi i autoriteteve shqiptare ndaj Greqisë.
Aleanca Kuq e Zi e denoncoi regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare të popullsisë si një kërkesë të qarqeve greke për të shpallur Shqipërinë një shtet multi-etnik që cenon hapur integritetin territorial të Jugut të Shqipërisë.
Ndërkaq Aleanca Kuq e Zi paralajmëroi nisjen e protestave në shtator dhe tetor si dhe paralajmëroi se nëse ky regjistrim nuk deklarohet antikushtetues, atëherë do i bëhet thirrje qytetarëve që në mënyrë masive të grisin formularin e regjistrimit etnik.
Më herët Kryeministri Sali Berisha e cilësoi regjistrimin e popullsisë dhe pasurive të qytetarëve shqiptarë “një akt madhor dhe të rëndësishëm për të njohur të vërteta më thelbësore të individit, shoqërisë, kombit dhe vendit në momentin kohor në të cilin ai realizohet".
Më tej ai i quajti mjerane klithmat e disa individëve të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore ata i përdhosin ato karrike, kushtetutën dhe postin dhe janë më të mjerë se çakenjtë e tyre.
a.y/NOA