Prishtinë, 28 korrik 2011, NOA – Pas dhunës së natës së shkuar në veri të Kosovës Qeveria e vendit njoftoi qytetarët e vendit se gjendja në pikat kufitare 1 dhe 31 në veriun e vendit, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjakë është përgjithësisht e qetë, por me tensione të herëpashershme.
Në një komunikatë të publikuar mëngjesin e sotëm, qeveria bën me dije se forcat e KFOR-it janë duke e mbajtur gjendjen nën kontroll të plotë dhe ka mobilizim të plotë të efektivave të tyre, të cilat aktualisht po i mbajnë në kontroll të plotë pikat 1 dhe 31.
“Qeveria garanton dhe siguron të gjithë qytetarët se në asnjë rrethanë nuk do të zbrapsemi, nuk do të ketë kthim prapa, për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara”, thuhet në deklaratën për mediat.
Ekzekutivi i Kosovës i fton të gjithë qytetarët e vendit që të kenë besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe në partnerët ndërkombëtarë duke i apeluar të ruajnë qetësinë. “Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën, momenti për vënien e ligjit dhe rregullit pas 12 vitesh, ky është momenti i unitetit politik dhe qytetar”, thotë komunikata për shtyp duke theksuar se Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të diskutojë sot për tensionet në pikat kufitare në veriun e Kosovës.
mit/NOA